Në Fier një kilogram luleshtrydhe shitet në tregun e pakicës 400 lekë.
Çmimi këtë sezon është rritur me 100 lekë për kilogram, dhe kjo për shkak të rënies së prodhimit në serat e Kafarajt, qe furnizojnë jo vetëm Fierin, por një pjesë të mirë të tregut vendas.
“Sivjet është me 4 mijë lekë të vjetra kilja, ndërsa vjet ishte me 3 mijë.”
“Ka rënë prodhimi për shkak të përmbytjeve, prandaj janë më të shtrenjta luleshtrydhet”-shprehen tregtarët.
Rreth 60 fermerë ne Kafaraj kultivojnë luleshtrydhe në sera ne nje siperfaqe prej 1800 dynym. Rreth 300 dynym u preken nga përmbytjet e 8 Janarit. Situata këtu është mjaft e vështirë. Siç shihet në pamje, një pjesë e prodhimit eshte kalbur.
“Ne kërkojmë ndihmë nga shteti, sepse punojmë, mbjellim, por nuk fitojmë. Është hera e pestë që përmbytemi nga lumi. Kemi biseduar me komunën dhe bashkinë, por askush nuk na ka thënë as gjysmë fjale për problemet tona.”
"Dëmi është mbi 13 milionë lekë të vjetra vetëm për këto pesë dynymë e gjysmë. Kjo është vetëm humbja nga përmbytja e 8 janarit e deri tani. Edhe pas më shumë se një muaji, toka është ende me baltë dhe prodhimi nuk mund të mblidhet".
Fermerët thonë se u është premtuar dëmshpërblim nga ish-zv/kryeministrja, Balluku dhe ministri i Bujqësisë, Andis Salla, por kanë pak shpresa. Kane kaluar dy muaj dhe ende nuk është kryer vlerësimi.
“Ishte Balluku edhe ministri i Financave dhe ministri i Bujqësisë. Na premtuan se do të vinin të vlerësonin dëmet pasi të mbaronte aktiviteti që kishin. Madje kapëm edhe ministrin e Bujqësisë dhe ai na tha se në fillim të javës do të vinte bashkë me deputetin e zonës për të parë gjendjen”.
“Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku na premtoi se do të dëmshpërblehej luleshtrydhja, por ka kaluar një muaj dhe ne jemi ende në pritje. Nuk e dimë si do t’i vlerësojnë dëmet pa ardhur t’i shohin nga afër. Edhe nëse japin dëmshpërblim, nuk arrin dot nivelin e humbjeve tona”-shprehen fermerët.
Sipas të dhënave të njësisë administrative Frakull, përmbytjet kanë dëmtuar rreth 300 ton luleshtrydhe. Duke qenë se prodhimi vjetor arrin ne 9000 ton, këtë sezon përmbytjet kanë prekur afro 3 për qind të prodhimit total.
Komente











