Pranvera në Xibër të Matit është veshur me te bardha.  Në “Livadhet e Ketit”, aty ku shtrihet masivi më i madh me “Lulen e Poetit” në vendin tonë, çdo fundjavë mbërrijnë dhjetëra vizitorë për të kaluar disa orë mes natyrës.

Vetëm 30 minuta larg Tiranës, përmes Rrugës së Arbrit mbërrini në fshatin Xibër, larg zhurmës së qytetit.

Ngjitja drejt livadheve kalon përmes një terreni jo të vështirë, të përballueshëm nga pothuajse çdo moshë. Me çdo hap, ajri bëhet më i freskët dhe panorama më e gjerë, derisa mbërrin ne 1300 metra mbi nivelin e detit dhe zbulon surprizën: një tapet i bardhë me lule…

Vizitorët vijnë jo vetëm nga Tirana e Durrësi, por edhe shqiptarë të kthyer nga emigracioni në Greqi apo Shtetet e Bashkuara, të cilët ndalojnë për të shijuar këtë peizazh të rrallë.

“Është hera ime parë që ndodhem këtu. për këtë vend kam parë në rrjete sociale, por është një vend i bukur; Është një vend shumë i bukur, diçka që nuk e kam parë asnjëherë diku tjetër; Është një vend fantastik, iu rekomandoj të gjithëve që ta vizitoni”, shprehen vizitorët.

Kush e ka vizituar një herë këtë vend, thotë se rikthehet sërish, jo vetëm për lulet, por edhe për qetësinë dhe pamjen që të ofron lugina e Matit, e shtrirë poshtë malit.

 “Narcissus poeticus”, ose “Lulja e Poetit”, lulëzon vetëm për pak javë gjatë muajve prill dhe maj. Pikërisht kjo e bën edhe më të veçantë këtë destinacion, pasi kush dëshiron ta shohë nga afër duhet të nxitojë para se petalet e bardha të bien bashkë me fundin e pranverës.