Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, doli sot në një deklaratë për gazetarët dhe ende, edhe pas 2 ditësh nuk ka asnjë koment në lidhje me nisjen e vaksinimit anti COVID në vend. Në vend të kësaj Basha zgjodhi të fliste për darkën e disa ministrave shqiptarë në Dubai.

"Mijëra familje rrezikojnë shtëpinë e tyre nga përmbytjet, kur mijëra familje të tjera kalojnë vitin e dytë në çadër.  Ministrat e Edi Ramës darkojnë në një prej restoranteve më të shtrenjtë të botës me 1000 dollarë bifteku.  Ata nuk kanë turp. Edi Rama nuk ka turp por mesa duket para kanë dhe kanë shumë.  Ata nuk e kanë në listë qytetarin. Kjo është arsyeja pse edhe pas tërmetit, edhe pas pandemisë, edhe pas përmbytjeve shqiptarët janë lënë vetëm. Kjo është një qeveri që mendon vetëm për veten e vet,  të dashur qytetarë është koha për ndryshim. Për një qeveri të mendojë për ju dhe jo për veten e saj.  Është koha që të kemi një qeveri që jep zgjidhje për është koha për ndryshim dhe nëse do ta sjellim ndryshimin", u shpreh kreu i PD.

Kujtojmë se prej 3 ditësh një pjesë e mediave dhe opozita kanë hedhur akuza se gjatë vizitës në Dubai ministrat kanë ngrënë një darkë në një restorant të shtrenjtë.

Për këtë deklarata reagoi edhe Kryeministri Rama  Kreu i qeverisë i ka kthyer përgjigje një prej komentuesve të tij, të cilit i ka shpjeguar se ministrat e tij nuk kishin paguar asgjë, pasi fatura ishte marrë nga pala mikpritëse. Këtu ai ka përmendur se bëhet fjalë për investitorin Mohamed Alabbar, që njihet edhe si pronari i qiell gërvishtëses “Burj Khalifa”.  

Ndërkohë që dje ka nisur në Shqipëri procesi i vaksinimit anti-COVID!  Ashtu siç ishte paralajmëruar e para është vaksinuar drejtoresha e Infektivit, Najada Çomo. I dyti është vaksinuar Kryeministri Rama.