Me tërë rëndësinë e vet, si partia e parë opozitare e krijuar pas 45 viteve të diktaturës së hekurt komuniste të Enver Hoxhës, demokratët do të festojnë sot në sallën e Pallatit të Kongreseve, në orën 18.00, ku do të evokohet përmes pamjeve filmike ajo ditë e rëndësishme jo vetëm në kalendarin politik të PD por dhe në tërë historinë e vendit, duke parakaluar dhe themeluesit, një pjesë e të cilëve janë larguar nga kjo parti politike, ose kanë ikur jashtë vendit.
Por që gjithsesi nuk e zbeh kontributin dhe rëndësinë e tyre në lëvizjen studentore dhe demokratike të dhjetorit të vitit 1990 si dhe themelimin e të parës forcë opozitare pas komunizmit në Shqipëri.
Pritja në Pallatin e Kongreseve do të organizohet nga ana e liderit të kësaj partie Lulzim Basha, i cili do të mbajë dhe fjalën kryesore, por që në emër të tij janë bërë dhe ftesat për pjesmarrësit në këtë festë apo pritje me rastin e 23 vjetorit të krijimit të Partisë Demokratike. Demokratët i kanë marrë të gjitha masat për të pasur një pjesmarrje jo vetëm të përzgjedhur por dhe të gjërë, duke përgatitur me këtë rast nga zyra e Partisë Demokratike dhe ftesat për secilin pjesmarrës, ftesë që ka qënë e njejtë për të gjithë të të ftuarit. “Zoti/znj...Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ju fton ditën e martë, datë 12 dhjetor ora 16.00 në Pallatin e Kongreseve për të marrë pjesë në pritjen e organizuar me rastin e 23 vjetorit të krijimit të partisë...”.
Ky është dhe teksti i ftesës për të marrë pjesë në pritjen e organizuar për ditën e sotme në përkujtim të përvjetorit të themelimit të PD. Dhe kjo ftesë i ka shkuar të parit kryetarit historik të PD dhe njërit ndër themeluesit kryesorë, Sali Berisha, themeluesve Arben Imami, Genc Ruli, Arben Demeti etj. Pra kryetari i ri i PD Lulzim Basha ka ftuar zyrtarisht ish-kryetarin Sali Berisha dhe themeluesit e tjerë të PD në festën e partisë, duke rikonfirmuar tashmë se brezi i ri i PD, pikërisht ata që kanë qënë në vitet e para të gjimnazit në dhjetor të vitit 1990, kanë marrë stafetën e drejtimit në këtë parti, aq sa dhe në përvjetor themeluesit dhe ish-drejtuesit vijnë me ftesë. Mësohet se ftesa janë dërguar dhe në drejtim të eksponentëve të tjerë të partive aleate të Partisë Demokratike, pa përjashtuar ftesat dhe për ish themelues të cilët tashmë janë në parti të tjera politike, qoftë dhe kundërshtare.
Ende mbetet mister nëse është ftuar zv.kryeministri Ilir Meta, kryetar i LSI, deputeti socialist Pandeli Majko, të dy pishtarë të demokracisë për pjesmarrje në lëvizjen e dhjetorit dhe të dekoruar nga vetë ish-presidenti Berisha, apo kryetari i PS dhe qeverisë Edi Rama dhe ai kontributor në këtë lëvizje. Ndërkohë që vite më parë, kur Fatos Nano ishte kryeministër, Berisha e kishte ftuar atë duke garantuar dhe pjesmarrjen e ish-liderit socialist. Mësohet se ditën e sotme përpos aktivitetit në përkujtim të 12 dhjetorit ’90 mund të ketë dhe një dokumentar në përkujtim të ish-anëtarit të kryesisë, ish-ministër e ish-deputet i PD Sokoll Olldashi, që u nda nga jeta javë më parë, në një aksident automobilistik.
Nga 343 firmatarë të vitit ’90 kanë mbetur vetëm 332
Në këtë 23 vjetor, kur sheh listën e 343 nënshkruesve vihet re qartë se kanë mbetur fare në PD. nga 343 firmatarët të deklaratës themeluese të PD në vitin 1990 ia kanë dalë të “mbijetojnë” në 23 vite, dhe falë rikthimeve të bujshme vetëm 11 firmatarë, që kanë mundur të mbijetojnë në “xhunglën” politike të PD. Ndërsa 332 nënshkrues që sollën në jetë dhe të parën parti opozitare në vend pas 45 vitesh, janë larguar përfundimisht nga kjo parti, që me sa duket i “ha” vit pas viti bijtë e saj themelues. Ku vit pas viti është përballur me përjashtime, me largime por dhe me ndarje nga jeta.
Shkrimi u publikua sot (12.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)