Lulzim Basha i ra pragut që të dëgjojë dera

Lulzim Basha i ra pragut që të dëgjojë dera

Kreu i PD-së Lulzim Basha nga takimet e tij elektorale

Takimet elektorale me makina dhe njerëz që e presin në hyrje të qyteteve, të cilat Lulzim Basha kërkon t’i paraqesë si spontane, në realitet nuk janë të tilla. Çdo gjë në agjendën elektorale të Partisë Demokratike është e programuar. Dihet data, ora dhe vendi ku kryetari Basha do të shkojë në filan qytet dhe për këtë bëhen përgatitjet qysh një ditë përpara duke u njoftuar grup-seksionet e PD-së që të marrin masat për pjesëmarrje.

Në varësi të llojit të takimit, ose nxirren disa qindra individë me makina e flamuj që bërtasin e brohorasin për liderin e tyre, ose vendosen disa karrige kur tema është me një komunitet të caktuar.

Edhe kur Lulzim Basha ka në program ecje të lirë rrugëve të qytetit, personazhet që i dalin përpara dhe shkëmbejnë dy fjalë me të, sërish janë pjesë e skenarit. Asgjë nuk duhet të dalë jashtë parashikimit të konsulentëve izraelitë. Për t’i paraprirë të papriturave që sjellin transmetimet e drejtpërdrejta e pa filtra, është gjetur mënyra e filmimit paraprak, përpunimit në studio, shkurtimit të sekuencave problematike dhe më pas transmetimit për mediat të cilat praktikisht marrin një material neto, pa asnjë gabim.

Ka raste, siç ndodhi javë më parë, kur teksa Basha bënte një takim me arsimtarë, pamjet jepnin fytyrën e tij kurse audio shoqërohej me zë gruaje, por pas këtij incidenti nuk u panë më gabime në montazh.

Të martën Lulzim Basha u pa të bredhi rrugë të njësisë nr.10 në Tiranë. Befas një qytetar i del përpara dhe i bën një kërkesë të tillë: “Mos bëni koalicion me LSI se ju ka sharë shumë keq kur ishte me PS”. Ndërkohë Basha ia pret: “Mbaje mendjen te familja jote dhe te prindërit e tu dhe voto nr.9 më 25 prill”.

Aq i sajuar ishte dialogu saqë skenaristët nuk u kujdesën që qytetari i “rastësishëm” të vijonte rrugën e tij, por pasi e kishin porositur se çfarë duhet të thoshte, ai vijoi ta ndiqte Bashën deri tek dera e lokalit të Vaqarëve, ku pasi pëshpëriti aty dy fjalë miratuese me kandidaten demokrate, hyri në të.

Që Lulzim Basha dhe Partia Demokratike kërkojnë që elektorati të votojë nr.9, kjo është më se legjitime. Ajo që ngre dyshime të forta është se përse ai e futi për keq në këtë mes emrin e LSI-së.

Duke mos qenë transmetim i drejtpërdrejtë, regjia e PD-së kishte gjithë kohën e mundshme që ta hiqte atë dialog për të respektuar kontratën paraprake që Lulzim Basha ka lidhur me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, për koalicion paszgjedhor.

Në fakt, qëllimi i atij momenti dialogues ishte që të jepte një mesazh për elektoratin demokrat të cilin e ka përthithur gjatë viteve 2010-2017 LSI-ja. Janë jo pak, po afro 200 mijë vota.

Lulzim Basha po kërkon që të kthejë sa më shumë prej tyre si votues të PD-së. Dhe sondazhet po e tregojnë këtë. Praktikisht ai po lufton që në planet e tij të fitores të mos ia ketë nevojën LSI-së, pra të mos jetë peng i dyshes Meta- Kryemadhi.

Lulzim Basha e ka kuptuar se po të vijë në pushtet, sa e vështirë do të jetë për të bashkëjetesa me atë çift që nuk bën kompromise deri sa t’u dalë e tyrja.

Prandaj jo vetëm që kurdisi me skenar tip “Babale” takimin e “rastësishëm” me qytetarin, por u kujdes ta transmetojë edhe “live” që t’i tregojë kujtdo të zhgënjyer nga radhët e demokratëve për marrëveshjen me Monikën, se Partia Demokratike po lufton për të fituar pa LSI-në nëpër këmbë.

Tani pritet që të shihet se si do reagojë Kryemadhi. Në rast se vijon të bëjë rolin e naives dhe nuk e sheh se si po i firon elektorati që mezi e kishte konsoliduar në një dekadë Ilir Meta, atëherë me të vërtetë që nuk e meriton as llagapin “fallxhore” që i ka ngjitur Rama.

Për parantezë, meqë jemi te Edi Rama dhe tek e majta në përgjithësi, nuk ka asnjë dyshim se po të ishin bashkë PS e LSI, Partia Demokratike do ta kishte noterizuar dhe hipotekuar me kohë qëndrimin në opozitë të përjetshme. Por babëzia e çiftit Meta- Kryemadhi dhe frika nga Reforma në Drejtësi, bënë që të kërkojnë bashkëpunëtor më të menaxhueshëm prej tyre, siç është Lulzim Basha.

Ky i fundit tashmë është në ekzaltim e sipër prej “pritjeve” pompoze që po i bëhen në çdo hyrje qyteti, ndaj ka fituar vetëbesim. Sinjalin e parë për ta nxjerrë nga skena LSI-në e dha në hapje të fushatës elektorale ku Monika Kryemadhin nuk e ftoi as për sy e faqe tek Sheshi “Nënë Tereza”, qoftë edhe në fund të rreshtit.

Kurse video e porositur e ditës së martë, e dyta në radhë, ishte një goditje e fortë ndaj LSI-së. Vetë Lulzim Basha nuk del dot hapur, ndaj gjeti mënyrën indirekte duke krijuar mizanskenën me qytetarin e “rastësishëm”.

25 prilli po afron dhe deri atëherë do të dëgjojmë vazhdimisht “krisma” të tilla nga qytetarët e “rastësishëm”. Po deri atëherë Monika dhe Iliri do të jenë duke u marrë me Ramën, pa e kuptuar se Luli po i bie pragut të LSI-së që të dëgjojë dera demokrate e strehuar aty.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Neymar do të bëhet baba për herë të katërt (VIDEO)

Neymar do të bëhet baba për herë të katërt (VIDEO)