Lulzim Basha ka një problem krize legjitimiteti brenda partisë së tij që prej 11 dhjetorit kur Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha pretendon se e shkarkoi me shumicë të votës së delegatëve, vendim që u ratifikua nga një referendum i thirrur po nga Berisha më 18 dhjetor.

Por 'Bashës' po 'i bëjnë dalje' edhe nga mazhoranca. Burime për Report Tv nga Qeveria bëjnë me dije se mazhoranca ka një strategji të re me sjelljen ndaj kryeopozitarit. Duke filluar nga sot replikat me Lulzim Bashën i janë deleguar Elisa Spiropalit.

Edi Rama ishte sot në Kuvend njësoj si gjithë ditët e tjera. Pasi Kryeministri përfundoi fjalën e tij, Kryetarja e Kuvendit ia dha fjalën Lulzim Bashës, i cili shfrytëzoi rastin për replikën e radhës. Por ndryshe nga herët e tjera, Kryeministri nuk replikoi pas përfundimit të fjalës së Bashës, duke ia lënë të drejtën e replikës Ministres se Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin Elisa Spiropali.

Elisa Spiropali mori fjalën sot dhe ka replikuar me kryetarin e opozitës Lulzim Basha, duke iu drejtuar se e ka humbur mundësinë dhe privilegjin për replikë nga ana e shumicës, pasi vetë PD është në kushtet e humbjes së legjitimitetit.

Ajo i tha se "E keni futur opozitën në vallen e marrëzisë. Në kushtet e humbjes së legjitimitetit të të gjithë PD-së dhe kacafytjes mes dy hijeve, ju Basha e keni humbur mundësinë e një replike nga kjo shumicë".

Ndërkohë që kreu i PD-së i është përgjigjur duke e akuzuar për masakrën zgjedhore.

‘Legjitimin nuk ta japin milionat e grabitura në Dogana, legjitimitetin nuk ta jep as vota e blerë, as nuk grata e SHBA. Legjitimiteti duhet të burojë nga qytetarët. Dhe hapi i parë është që të kemi një proces të lirë", tha Basha.

Debati vazhdoi me reklika dhe kundëreplika për disa minuta.