Situata në fshatin Hasturkas, të njësisë administrative Libofshë vijon të mbetet problematike edhe 24 orë pas daljes së lumit Seman nga shtrati, ndonëse niveli i ujit ka shënuar një rënie të lehtë.

Sipas banorëve të zonës, uji është ulur rreth 20 cm, por pavarësisht kësaj, 20 banesa vazhdojnë të jenë të përmbytura, ndërsa dëmet janë të konsiderueshme edhe në stane, sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore , kultura të mbjella, kryesisht vreshta, ullinj dhe foragjere , por edhe koshere bletësh.

“Unë kam 70 dynym tokë, të mbjellë me tërshërë jonxhë, i kam të përmbytyra komplet. Nuk e dimë se çfarë do të bëhet. Presim të na ndihmojë shteti, sytë nga qeveria i kemi. Kujt t’i kërkojmë tjetër mbështetje. Dëm në blegtori nuk pata. Argjinatura është çarë në 3-4 herë, duhet të marrin masa që të izolohet se toka është e tejngopur me ujë. Apeli ynë, qeveria të marrë masa. I kërkojmë ndihmë shtetit.”, tha një banor.

“Bletët janë brenda, çfarë të them unë, të shohim çfarë do të bëhet. Ujë ka brenda në banesë. Kështu përmbytjesh nuk ka pasur.", u shpreh një banor tjetër.

Përballë kësaj situate dëshpëruese  banorët shprehen se qeveria duhet të dërgojë sa më parë ekipet e verifikimit, për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga përmbytja dhe për të hapur rrugën e dëmshpërblimeve.

“Kam një hektar me elb dhe ca koshere bletësh. Kur morëm vesh që po vinte uji, u mundova të ngre plaçkat. Ne presim, se sa do bëhet nuk e di. Apel bëjmë, të na ndihmojnë”, theksoi banori.

Nga ana tjetër, situata mbetet alarmante për shkak të çarjes së argjinaturës në disa segmente, fakt që sipas banorëve përbën një rrezik serioz, pasi parashikohen reshje të reja shiu dhe ekziston frika e një vërshimi të dytë të ujit.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bordi i Kullimit, për të bllokuar çarjet dhe për të shmangur përkeqësimin e situatës.

Sipas të dhënave nga terreni, situata po shkon gradualisht drejt normalizimit. Banorët raportojnë se ka patur pak shpendë të ngordhura, por nuk ka pasur bagëti të mbytura, falë ndërhyrjes së forcave të ushtrisë, të cilat kanë ndihmuar në largimin e bagëtive nga stanet dhe banesat e  rrethuara nga uji. Disa banorë që mbetën të izoluar për shkak të përmbytjes,  janë evakuuar dhe sistemuar në zona të sigurta, jashtë rrezikut nga uji.

Situata në Hasturkas mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa banorët presin masa konkrete dhe ndërhyrje të shpejtë për riparimin e argjinaturës dhe vlerësimin e dëmeve.

R.C/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 7 Janar, 22:17

    Si e menaxhoi qeveria situatën e përmbytjeve?