Sezoni i reshjeve sapo ka nisur, ndërsa në Lushnjë kanë intensifikuar punimet për pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese, me qëllim parandalimin e përmbytjeve gjatë muajve të dimrit.
Me fondet e akorduara nga Ministria e Bujqësisë, Bordi i Kullimit Lushnjë ka nisur që prej muajit gusht ndërhyrjet në Emisarin e Myzeqesë, ku aktualisht punimet janë drejt përfundimit.
Pastrimi i këtij emisari nga aluvionet e shumta, të cilat vijnë nga zonat kodrinore, Përroi i Lunjës dhe ai i Kasharajt, pritet të përmirësojë ndjeshëm funksionimin e sistemit të kullimit në të gjithë zonën e ulët fushore të Myzeqesë.
Paralelisht me këtë ndërhyrje, puna po vijon edhe për pastrimin e kanalit të ujërave të larta të Tërbufit, si dhe në degën tjetër të Këmishtajt. Ulja e kuotës me 1.4 metra dhe sistemimi i rrjedhjes së ujërave në dy degët anësore synojnë të garantojnë evadimin normal të ujërave dhe të minimizojnë rrezikun e përmbytjeve, jo vetëm në tokat bujqësore, por edhe në qytetin e Lushnjës dhe lagjet periferike.
Sipas përgjegjësit të Bordit të Kullimit Lushnjë, Ferdinand Dervishi, këto ndërhyrje janë pjesë e mirëmbajtjes periodike të infrastrukturës kulluese.
"Pasi përfunduam sezonin e ujitjes, të gjitha kanalet ujitëse që ishin planifikuar me buxhetin e shtetit, tani jemi në emisarën kryesore, në Emisarin e Myzeqesë. Në këtë pjesë fundore kemi shumë aluvione, të cilat vijnë si nga zona e Karbunarës, ashtu edhe nga Përroi i Lushnjës. Kjo ndërhyrje bëhet periodikisht çdo katër vjet. Me pastrimin e këtij kanali dhe largimin e aluvioneve në një thellësi prej 1.4 metrash, ulet niveli i ujit si në zonën e Karbunarës, ashtu edhe në Përroin e Lushnjës."- tha Dervishi.
Pas përfundimit të punimeve në Emisarin e Myzeqesë, ndërhyrjet do të vijojnë në kolektorin kryesor K-10, i cili lidhet me Emisarin e Myzeqesë. Një rëndësi të veçantë për përballimin e reshjeve ka edhe gatishmëria e hidrovorëve, ku gjatë këtij viti janë kryer remontet përkatëse.
"Këto janë punime mirëmbajtjeje që financohen nga buxheti i shtetit. Pasi të përfundojmë punimet në Emisarin e Myzeqesë, do të kalojmë te kolektori kryesor K-10, i cili është natyror dhe bashkohet me Emisarin e Myzeqesë.Hidrovoret janë në gatishmëri të plotë. Këtë vit janë kryer edhe remontet përkatëse dhe tashmë janë gati, duke pritur reshjet e shiut për të larguar ujërat nga sipërfaqet dytësore."- u shreh ai.
Krahas pastrimit të kanaleve dhe kolektorëve, gjatë këtij viti janë kryer edhe remontet në hidrovorët e Karavastasë, Biçukasit dhe Divjakës. Mbajtja e tyre në gatishmëri të plotë synon të garantojë funksionimin normal të sistemit të kullimit dhe largimin e ujërave drejt detit.
Puna sistematike e zhvilluar gjatë muajve të verës synon të krijojë kushte sa më të mira për përballimin e reshjeve të sezonit dimëror, duke mbrojtur tokat bujqësore dhe zonat e banuara nga rreziku i përmbytjeve.











Komente
Komento