LUSHNJE - Kryeministri Berisha është takuar sot me qytetarët e Lushnjes, duke mbajtur një fjalim të mbështetur thuajse tërësisht mbi shifra krahasuese me premtimet e vitit 2005 dhe atë ç’ka është arritur të realizohet. Berisha ka qenë i hapur t’ju përgjigjet pyetjeve të lushnjarëve, të cilët varionin nga akuzat e opozitës për pasurinë e tij deri tek 21 Janari, pse kjo ditë nuk bëhet festë kombëtare.

“DO TE HAPJA KLINIKE PRIVATE PO TE DOJA TE PASUROHESHA”


Pyetjes së një qytetari lushnjar për akuzat, që opozita i ka drejtuar Kryeministrit, lidhur me pasurinë e tij, Berisha i është përgjigjur:
“Opozita sulmon, sepse është në tagrin e saj të sulmojë, por këto janë sulmet më të pandjeshme për mua. Kundërshtarët e mi politikë dhe ju, a doni ta dini se cili është sekreti i jetëgjatësisë sime në politikë? Po e nis kështu: e kam filluar jetën në një banese 83 m2 dhe tani, jetoj në 125 m2. Nëse do ndiqja rrugën e parave, atëherë, unë, si mjek kardiolog, do të bëja si kolegët e mi: do të hapja një klinikë private. Por, unë i kam qëndruar dhe do të vazhdoj t’i qëndroj fort, zgjedhjes që kam bërë”.

21 JANARI FESTE KOMBETARE, DO TA SHQYRTOJME


Një qytetar pyeti kryeministrin Berisha pse 21 janari, nuk shpallet festë kombëtare, duke e lidhur me datën e fillimit të punimeve të Kongresit të Lushnjes. Berisha tha se do të shqyrtonte mundësinë për ta shpallur festë kombëtare. Ai u përgjigj i bindur se ajo "e meriton 100% të jetë festë kombëtare".

"Kjo nuk ka pengesë, vijoi kryeministri, i vetmi problem për ne është se fatmirësisht jemi të detyruar që për disa specifika të kemi festa kombëtare më shumë se të tjerët. Mirëpo, ditët e shumta të pushimit rëndojnë mjaft sipërmarrjen private dhe në tërësi ekonominë jopublike. Ne do e shqyrtojmë me shumë vëmendje dhe do të gjejmë një zgjidhje".

Sipas kryeministrit, Kongresi i Lushnjës "është mrekullia shqiptare dhe jetësimi i pavarësisë së shqiptarëve. Ajo është themelimi, jo vetëm i pluralizmit, por i tërë sistemit demokratik modern të Shqipërisë, është shpëtimi i Shqipërisë nga copëtimi përfundimtar i mëtejshëm. Ndaj në historinë tonë ajo qëndron krah për krah ngjarjeve të mëdha të këtij kombi", komentoi kreu i qeverisë këtë moment të rëndësishëm historik.  Kongresi i Lushnjes, që i çeli punimet më 21 janar 1920, miratoi një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.
 
Ndërkohë, data 21 janar 2011, përkon me vrasjen e 4 protestuesve të opozitës në demonstratën para godinës së kryeministrisë.

BERISHA: PREMTOVA 6 MIJE KM, ASLFALTOVA 10 MIJE
 
“Pikërisht nga kjo sallë, në Lushnje, në 2005-ën, kur unë ju deklarova se do të asfaltoja 6 mijë km rrugë rurale, kundërshtarët tanë u tallën, përqeshën, e quajtën këtë gafë, se sipas tyre, Shqipëria as nuk i kishte 6 mijë km. Por, ata nuk morën mundimin të hynin në “Google” e të shihnin se Shqipëria ka 18 mijë e 300 km rrugë”, tha Berisha. “Ne asfaltuam, ndërtuam e rikonstruam mbi 10 mijë km rrugë e ndërkohë u zotuam të mbështesim arsimin dhe shëndetësinë.

Mësuesit sot paguhen 100-150 % më shumë se në vitin 2005; mjekët dhe infermierët, 130-160% më shumë. Ne premtuam se për fermerët do të bëjmë gjithçka dhe në këto 8 vite, investimi ynë kryesor u bë në Shqipërinë rurale.

Rreth 1300 shkolla u ndërtuan, qindra sisteme kanalizimesh, u hap turizmi. Nëse në vitin 2005 kishim 300 mijë turistë,” tha Berisha, “vitin e kaluar në Shqipëri ishin 4.7 milionë turistë dhe vizitorë.

Frekuentimi i internetit ishte 4.8%, nga më të ultit në botë, ndërsa sot është mbi 62%; shqiptarët lundrojnë mbi internet dhe “Facebook”; 3.8% ishte telefonia celulare me çmime shumëtë larta, ndërsa sot ato janë 3-5 herë më të ulëta, sipas rastit.”

Kryeministri Berisha vuri në dukje se “ne ende nuk jemi një vend i zhvilluar, por ne kemi tregues të njëjtë me disa nga vendet më të zhvilluara të botës; përsa i përket banesave, në krahasim me vitin 1980, kemi një rritje të lartë; kemi një klasë të mesme të zhvilluar; vdekshëmrinë foshnjore e kemi me një shifër, vdekshmërinë e përgjithshme, ndër më të ultat e vendeve ish-komuniste.”

BERISHA: DESHIROJ T’I PERGJIGJEM NJE MIKU NE "FACEBOOK"

Tek shifrat e të ardhurave mesatare për frymë, kreu i qeverisë u shpreh: “Të ardhurat mesatare për frymë janë 9 mijë dollarë. Mirëpo, këtu po citoj një mik, i cili më shkruante në “Facebook” se “të ardhurat e familjes sime janë shumë larg kësaj shumë që shpallni ju, z.Berisha”.

“E drejtë, “tha Kryeministri, “ ka mijëra famillje që s’i kanë këto të ardhura, që janë shumë larg kësaj shifre, që jetojnë në varfëri, mjerim, por unë ju ftoj të shihni raportin e të ardhurave dhe të analizoni sesi janë ndarë të ardhurat në fusha të ndryshme, investimet në arsim, shëndetësi, si është bërë shndërrimi në këto fusha...Shqipëria renditet e katërta në botë për këtë shndërrim që ka bërë”.

“Pra, i dashur mik,” përfundoi Berisha, “ zgjodha t’ju përgjigjem nga kjo sallë. Ne jemi të sigurtë se meritojmë kritika, meritojmë qortime, por ne kemi privilegjin t’i dëgjojmë ato e të mos i përsërisim”.


Redaksia Online
(ar.sh/sg/shqiptarja.com)