Dy punonjës të një kompanie private të sigurisë janë arrestuar në Lushnje me akuzën e vjedhjes. 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje, arrestuan në flagrancë Ndriçim Beqirin, 26 vjeç, banues në fshatin Imsht, Lushnje dhe Veli Kumanakun, 23 vjeç, banues në fshatin Kallm i Vogël, Fier.

Veli Kumanaku, punonjës i SHPSF “Pelikani” me detyrë në ruajtje të makinerive dhe materialeve të Gazsjellësit "TAP" në fshatin Imsht, në orët e para të mëngjesit të datës 28.02.2017, në bashkëpunim me shtetasin Ndriçim Beqiri, kanë vjedhur 13 shtrate trarësh të makinerive dhe 600-700 litra naftë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprat penale "Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën" dhe "Vjedhje e kryer në bashkëpunim" parashikuar nga Nenet 135/2 dhe 134/2 të Kodit Penal. 

Ndërkohë, punonjësit e policisë private janë kthyer në problem më vete sa i takon grabitjeve dhe krimeve. Report Tv dhe Shqiptarja.com siguruan dy ditë më parë të dhëna nga Departamenti i Sigurisë Publike ku rezulton se 2 në 10 efektivë janë me precedent penal dhe të përfshirë në Krime të Rënda, ku rasti më i fundit ishte ai i dy grabitjeve së 7 milion eurove në aksin Qafë Kashar –Rinas.

Këto të dhëna janë konsideruar shqetësuese dhe së shpejti këta efektiv do t’i nënshtrohen testit të rreptë duke nisur me gjurmët e gishtërinjve e deri tek e shkuara e tyre apo karriera që kanë pasur kur kanë punuar në policinë shtetërore.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com