FIER- Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Fier, ku pacienti 77-vjeçar vdiq në ambulancë pas një aksidenti rrugor, policia ka arrestuar dy drejtuesit e mjeteve. Në pranga rënë drejtuesi i ambulancës, L. Gj., 31 vjeç, dhe ai i kamionit, F. R., 54 vjeç, për veprën penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor".

“Në vijim të veprimeve procedurale të kryera për aksidentin e ndodhur ditën e djeshme, në aksin rrugor "Lushnjë-Fier", me pasojë vdekjen e një pacienti që po transportohej me autoambulancë, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan 2 drejtuesit e automjeteve (kamion dhe autoambulancë) të përfshirë në këtë aksident, shtetasit L. Gj., 31 vjeç dhe F. R., 54 vjeç, për veprën penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor", njofton policia.

Aksidenti u shënua dje (17 shtator), në aksin Lushnjë-Fier. Si pasojë e përplasjes, humbi jetën pacienti 77 vjeçar, Dashamir Koçaj, i vili po dërgohej nga Vlora në Tiranë për mjekim më të specializuar.

Ambulanca u godit nga kamioni, i cili po udhëtonte drejt Lushnjes kur ambulanca është futur në parakalim. Nga goditja shoferi i ambulancës humbi kontrollin dhe u përplas me trafikndarësen. Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe e bija e 77-vjeçarit, mjeku dhe infermieri.