- Kryeministri shpërndan leje legalizimi falas -
Kryeministri Rama gjate shperndarjes se legalizimeve falas Foto:ATSH (Arkive)
LUSHNJE, 6 Mars/ATSH/.- Kryeministri Edi Rama shpërndau sot leje legalizimi falas në rrethin e Lushnjes.
Në fjalën e tij, kryeministri theksoi rëndësinë e këtij procesi në rritjen e ekonomisë kombëtare, duke nënvizuar se lejet e legalizimit falas që po shpërndan sot qeveria janë për aktivitete prodhuese bujqësore e jo për motele apo lokale në mes të rrugës, që cënojnë projektet e zhvillimit.
"Legalizimi nuk është dhënia në dorë e një dokumenti që e bën shtëpinë tuaj të paprekshme, por është dhe marrja në dorë nga ju e një dokumenti të patundshëm që kthehet në një mundësi për të marrë kredi në bankë, për të rritur aktivitetin tuaj", iu drejtua Rama banorëve që iu shpërndau lejet.
Legalizimi, sipas kryeministrit, nuk është vetëm në interesin e secilit, por dhe në interesin e ekonomisë kombëtare dhe në interesin e përbashkët, për të rimëkëmbur ekonominë familjare dhe atë kombëtare.
Duke shprehur vendosmërinë e qeverisë për ta çuar deri në fund procesin e legalizimit falas, Rama vërejti vështirësitë që ka hasur ky proces në qytetin e Lushnjes, për shkak të zhdukjes së rreth një mijë dosjeve që mbaheshin peng prej vitesh, gjë që i detyroi qytetarët e interesuar dhe të dëmtuar, që ta rifillonin procesin nga e para.
/a.s//m.m/