Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor nacional Fier–Shegan, në zonën e njohur si Pushimi i Shoferit. Një automjet tip "Benz" dhe një furgon janë përplasur në kryqëzimin e fshatit Toshkëz.Pas përplasjes, njëri prej mjeteve ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.

Si pasojë një person ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës. Sipas informacioneve nga spitali, i lënduari, një i moshuar, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në vendngjarje ka mbërritur Policia Rrugore, e cila po dokumenton rrethanat e aksidentit dhe po disiplinon trafikun në zonë.

Aksi rrugor Fier–Shegan, në segmentin Pushimi i Shoferit, është një nga rrugët me qarkullim të lartë. Sipas informacionit të dhënë, ky segment ka mangësi sa i përket sigurisë rrugore, ndërsa gjerësia e kufizuar e rrugës detyron drejtuesit e mjeteve të ulin shpejtësinë kur kryqëzohen me automjete të tjera.

Sipas informacionit të dhënë, këto ditë, me shtimin e qarkullimit për shkak të ardhjes së emigrantëve nga jashtë vendit, aksidentet rrugore kanë qenë të shpeshta.