Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, njëherësh edhe kryetari i komunës së Gjilanit, ka shpallur sot zyrtarisht kandidaturën për kryetar të LDK-së, me premtimin se do ta kthejë LDK-në sërish në skenën politike .
“Jam i nderuar që sot para jush po ju njoftojë se kanë përfunduar konsultimet e fundit me strukturat e LDK-së në Gjilan, po ashtu edhe me autoritetet që LDK-së i kanë dhënë shpresë. Tri postulatet e shenjta të LDK-së, liria e saj e arritur me sakrificë dhe kryengritja e saj e armatosur, pavarësisë e shpallur de juro me 17 shkurt dhe demokracia e Kosovës mbesin postulate që do të punojë që ta rikthej LDK-në atu ku e ka vendin”, ka thënë ai.
Në konferencë për media, ai tha se zgjedhjet e brendshme të 15 marsit duhet të jenë edhe zgjedhje për t’i afruar ata që u larguan si të pakënaqur.
Ndërkohë që ka lënë të hapur mundësinë e votimit pro Vjosa Osmanit Haziri ka thënë se kjo do të qartësohet pas zgjedhjeve që mbahen këtë të dielë, ndërsa tha se ky qëndrim do të jetë në funksion të stabilitetit.
Isa Mustafa, kreu i LDK-së dha dorëheqjen pasi forca politike e drejtuar nga ai mori rezultatin më të ulët në historinë e saj.