TIRANE- Investitorët ndërkombëtarë gjithnjë e më shumë po e shohin kryeqytetin shqiptar si një mundësi e mirë për zhvilluar projektet e tyre në infrastrukturë por edhe ato me karakter social. Kështu u shpreh Kreu i Bashkisë Lulzim Basha gjatë një takimi që pati me Ernst Burgbacher, Sekretar Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë në Gjermani si dhe me Hans-Jyrgen Myller, President i Shoqatës Ekonomike gjermano-shqiptare.

Basha i ka njohur dy zyrtarët gjermanë me prioritet e Bashkisë në zhvillimin ekonomik të Tiranës, duke filluar nga plani i përgjithshëm rregullues, përmirësimi i klimës së biznesit, bulevardi i ri, terminali multimodal i pasagjerëve por edhe ndërtimi i linjave të tramit.

Ndërkohë Burgbacher e garantoi kryebashkiakun Basha, për një bashkëpunim të ngushtë mes dy institucioneve. Ndërsa Presidenti i shoqatës ekonomike gjermano-shqiptare Müller theksoi se Shqipëria është në fokus të investitorëve gjermanë, numri i të cilëve është shtuar vitet e fundit.

Shkrimi u publikua sot (06.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)