Macron: Aleatët janë pajtuar për të furnizuar Ukrainën me raketa

Macron: Aleatët janë pajtuar për të furnizuar Ukrainën me raketa

Udhëheqësit evropianë janë pajtuar të krijojnë një koalicion për të furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi dhe bomba, për të mbështetur përpjekjet e Kievit për të luftuar pushtimin e nisur nga Rusia. Kështu tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pas një samiti të liderëve të kontinentit të mbajtur në Paris.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti polak Andrzej Duda, dhe udhëheqësit nga shtetet e Baltikut po ashtu morën pjesë në samit që zgjati deri në hënën mbrëma. Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan në samit me diplomatin kryesor për Evropë, James O’Brien, ndërkaq në samit mori pjesë edhe sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron.

“Ne po ashtu kemi vendosur t’i japim një shtysë të re koalicionit të mbrojtjes ajrore, gjë për të cilën ka bërë thirrje presidenti ukrainas [Volodymyr Zelensky], dhe të krijojmë koalicionin e nëntë këtë mbrëmje, një koalicion për raketa dhe bomba me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, me të cilat mund të kryhen sulme të thella”, tha Macron gjatë një konference për media të mbajtur pas takimit.

Zelensky, që iu adresua samitit përmes video-lidhjes, u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që të sigurohen që presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk mund të shkatërrojë arritjet tona dhe të mos mund të zgjerojë agresionin e tij në shtete të tjera”.

Ukraina varet shumë nga armët e avancuara dhe furnizimet me municion nga aleatët perëndimorë, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, për t’iu bërë ballë sulmeve intensive nga forcat ruse, të cilat nisin pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Trupat ukrainase, që janë më të pakta në numër dhe me mungesë armatimesh, së fundi u detyruan të tërhiqen nga disa pozicione mbrojtëse në lindje, teksa një paketë e ndihmës ushtarake e SHBA-së në vlerë prej 61 miliardë dollarësh mbetet e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët.

Evropa do të ndihmojë Ukrainën “të marrë iniciativën dhe të veprojë së bashku në një kohë kur ka pasiguri në SHBA sa i përket ndihmës”, tha Macron, duke shtuar se në mesin e udhëheqësve që morën pjesë në samit kishte “konsensus të gjerë për të bërë më shumë dhe në mënyrë më të shpejtë”.

Ai tha se “asnjë konsensus” nuk ekziston për dërgimin e trupave tokësore perëndimore në Ukrainë, por shtoi se “asgjë nuk duhet të përjashtohet për të arritur objektivin tonë. Rusia nuk mund të fitojë luftën”, tha Macron.

Ndaras, presidenti polak Duda, tha për gazetarët pas takimit se “nuk kishte entuziazëm” në mesin e pjesëmarrësve lidhur me mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë.

Pjesëmarrësit në takim thanë se ka rritje të mbështetjes nga shtetet evropiane, përfshirë Francën, për një nismë të Çekisë për të blerë municione dhe predha jashtë Bashkimit Evropian dhe për t’i dërguar në Ukrainë.

Kryeminsitri Mark Rutte tha se Holanda ka vullnet që të ofrojë mbi 100 milionë euro për këtë qëllim./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar