Për herë të parë që nga shpallja e Shqipërisë shtet i pavarur, një president francez kryen një vizitë zyrtare dy palëshe në vendin tonë. Emmanuel Macron në ceremoninë pritëse vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve. Në fund të fjalës së tij presidenti francez, ngriti një dolli dhe foli shqip, duke thënë ‘rroftë Shqipëria e rroftë miqësia franko-shqiptare’.
‘Po e ngre gotën time për Shqipërinë për popullin shqiptar për çastet e veçanta e që na bashkojnë, që do t’i ndërtojmë bashkë. Rroftë Shqipëria, rroftë miqësia franko-shqiptare.’- u shpreh Macron në shqip.
Në fjalën e tij të mbajtur në Pallatin e Brigadave, presidenti Macron tha se Franca e mbështet atë që quhet zgjerim, por theksoi se është vështirë të bëhet një zgjerim. Macron tha se procesin e zgjerimit preferon që ta quajnë ri-takim apo ribashkim, pasi mjafton që të shohësh hartën e të kuptosh që Shqipëria është në qendër të Europës. Sipas tij, ajo që pengon integrimin e Shqipërisë dhe vendeve të rajonit janë burokracitë e BE.
'Vizita e parë dypalësh e një presidenti francez në Shqipëri që nga shpallja e Pavarësisë. Është lumturi e madhe t’i përgjigjem ftesës tënde i dashur Edi. Miqësia mes dy popujve tanë është shekullore, ju e përmendet. Dua tju theksoj mbështetjen e Francës për atë që ne e quajmë procesi i zgjerimit, por është vështirë të bëhet një proces zgjerimi, sidomos kur ka këtë emër dhe sidomos kur flasim për kapituj dhe procedura. Nuk ka asgjë më pak erotike se termat që kemi zgjedhur. Ne përpiqemi të shpjegojmë se është histori dashurie, formë dashurie. Është një gjeni evropiane që e kemi në ekskluzivitetin dhe quhet burokraci.
Një proces zgjerimi preferoj ta quaj ri-takim apo ribashkim. Mjafton të shohim një hartë dhe të shohim historinë tonë për të kuptuar që kjo Evropë nuk do zgjerohet duke ju pritur, sepse ju jeni në qendër mjafton të shohim historinë tuaj për t’ju thënë se nuk do zgjerohemi por do të bashkohemi sepse ju keni qenë që në fillim. Ju e keni frymëzuar këtë kontinent. Ky kontinent është një bisedë që nga thellësia e mijëvjeçarëve s’ka ditur të flasë si duhet. Ky vend ja ka dalë. Përtej kësaj kemi marrëdhënie të shkëlqyera politike.”, tha ndër të tjera Macron në fjalën e tij.
Lajmi kryesor: