Sipermarrësja Madi Sharma dhe gazetarja Erjona Rusi
Së pari, faleminderit për këtë intervistë, për mua ishte kënaqësi që ju takova. Kjo është hera juaj e parë në Shqipëri apo jo?
Madi: Kjo është hera e parë në Shqipëri, hera e parë në Tiranë, dhe më besoni do ta kem shumë të vështirë të iki. Më pëlqen shumë këtu. Unë kam udhëtuar në gjithë botën, e mund të them se kam qënë thuajse kudo por ndjehem më e sigurt këtu. Energjia në qytet është e jashtëzakonshme. Kisha parë fotografi të Shqipërisë nga miq të mi këtu, por nuk krahasohet me atë që pashë.
Kush është Madi Sharma? Pra si do ta përshkruaje veten me 2-3 fjali për ata që nuk të njohin?
Madi: Unë jam thjesht Madi, që do të thotë -bëj një ndryshim përmes ideve, gjithçka që bëj duhet të sjellë një ndryshim. Unë jam një sipërmarrëse dhe objektivi im është që ti shndërroj idetë në veprime, jo thjesht idetë e mia, por të të gjithëve. Ka të bëjë me veprim në nivel lokal por me një impakt global. Jam anëtare e Komisionit Europian Ekonomiko-Social, pra politikat në nivel europian, duke bërë lidhjen mes shoqërisë civile dhe vendimarrësve në nivel europian. Pra qëllimi im është që të çoj zërin e njerëzve tek politikbërësit për të krijuar ekosistemin e nevojshëm për rritje dhe qëndrueshmëri.
Le të qëndrojmë tek sllogani apo motoja juaj. Ju thoni "jeta është një fletë e bardhë dhe çfarëdo që të shkruani aty mund ta arrini". E besoni vërtet këtë? Po jua shpjegoj pak pyetjen. Një njeri nuk është thjesht produkt i dëshirave dhe përpjekjeve të tij apo saj por edhe i rrethanave. Një vajzë e pastrehë mund të ketë plot dëshira për të vendosur në fletën e saj të bardhë, por duhet të mendojë të ushqehet në vend që të shkojë në universitet.
Madi: Çelësi është që kur shkruani në atë fletë të bardhë, duhet të shkruani diçka shumë konkrete, diçka që e doni vërtet dhe vetëm një. Dhe duhet tja kërkoni universit dhe ai do tjua japë. Por pjesa më e madhe prej nesh nuk kërkojnë, ndërsa gati 95 % e njerëzve madje nuk e dinë se çfarë duan. Pra nëse nuk e di se çfarë do, si mundet universi të ta japë. Pra duke i thënë universit se çfarë do, kjo është pjesa e parë e një veprimi. Pra një vajzë mund të jetë e varfër dhe mbase nuk ka me se të ushqehet por ajo nuk e di se një njeri mund të shfaqet në jetën e saj dhe ti thotë-Dua të të ndihmoj, çfarë dëshiron? Dhe ajo duhet të jetë e aftë që të thotë menjëherë: "Dua të shkoj në universitet, kjo është e vetmja gjë që dua". Dhe ky njeri mund ti thotë-dakord unë do të financoj studimet e tua dhe ajo mund të fitojë një bursë. Ne kurrë nuk mund ta dimë se si do të ndodhë, por kur e di se çfarë dëshiron, mund të fokusohesh tek ajo dëshirë, duhet të jetë një gjë e vetme sepse universi nuk mund të gjejë se cili është prioriteti yt. Dhe kini kujdes se çfarë shkruani.
Është kjo karma? Është besim tek Zoti? Ajo që ju e cilësoni Universi?
Madi: Janë shkruar shumë libra që thuajse thonë të njëjtën gjë, lexoni librin "Mendo dhe pasuroheni" nga Napoleon Hill, një bestseller botëror që ju garantoj e gjeni edhe në shqip. Ai ka arritur të kuptojë se të gjithë sipërmarrësit më të mëdhenj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin të njëjtën filozofi se si të bëheshin të suksesshëm-ka të bëjë me fokusimin. Në momentin që e di se çfarë do, çdo gjë që ti bën shkon drejt atij qëllimi. Është e pabesueshme se sa indicje ka gjithëandej që shpesh nuk i shohim. Por kur je i fokusuar, nuk të shpëtojnë. Dëshira ime e dytë ishte të kisha një makinë Jaguar, dhe ia dola ta kem një të tillë për dy vjet falas pasi i dërgova një letër kompanisë konçensionare. Tani që e arrita, sepse kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme, vendosini një kryq, dhe shkruani dëshirën tuaj tjetër, që për mua është një makinë Aston Martin.
Tani, besoj që jeni krenare me atë që keni arritur, një karrierë e suksesshme, udhëtime nëpër botë, ju ftojnë në çdo vend, por megjithatë fillimi juaj ka qënë i vështirë. Ju keni qënë dikur viktimë e dhunës brenda familjes. Si ja arritët ta kapërceni këtë? Do të doja të dija cila ishte pika e kthesës, momenti kur thatë-mjaft, kjo s'mund të vazhdojë më kështu?
Madi: Së pari le ta theksojmë që dhuna brenda familjes është problem në gjithë botën, dhe kjo është arsyeja pse flas për atë që më ka ndodhur mua, edhe pse njerëzit mendoj se e bej këtë për keqardhje. Jo, s'kam fare nevojë për këtë. Unë jam një grua e fortë për shkak të asaj që më ka ndodhur. Nuk ja uroj askujt por unë mbijetova, dhe ja dola për një arsye të caktuar. Kam qëndruar shtrirë në dysheme për 2 ditë me rradhë dhe aty ishte pika ime e kthesës. Pikërisht aty i thashë vetes: ose do të vazhdoj të qëndroj ashtu dhe të jem një viktimë për gjithë jetën ose do të ngrihem dhe ti ndryshoj gjërat. Ajo që ju shihni tani, është 25 vite më pas, një grua plot vetëbesim por unë s'kam qënë kështu më përpara. Dikur as nuk guxoja të flisja me njeri për problemet që kisha. Nuk mund të bëjmë sikur asgjë nuk ndodh. Dhuna ka vite e shekuj që vazhdon. Burrat i manipulojnë gratë, i bëjnë të ndihen të dobëta, të padëshiruara, të shëmtuara, arrijnë ti ndërpresin gjithë marrëdhëniet e tyre me miqtë dhe familjen dhe mbi të gjitha me paratë, duke e lenë gruan pa rrugëdalje, pa mundësi për të gjetur forcën për tu larguar, është shumë, shumë e vështirë.
A të vjen turp të flasësh për të kaluarën tënde? Ka kaq shumë gra që as nuk guxojnë ta pranojnë se janë viktima të dhunës brenda familjes dhe nuk flasin as me një mike, apo dikë nga familja e jo më ta thonë me zë të lartë.
Madi: Unë s'kam më turp, sepse e kam kuptuar tashmë që nuk ishte aspak fajim im ajo që ndodhi. Natyrisht që marr përgjegjësitë e mia dhe e di që unë isha një vajzë e nënshtruar indiane, isha rritur në atë mënyrë që ti bindesha burrit pa folur shumë. Por kuptova se edhe unë kam një jetë dhe kam një tru, kështuqë vajza me të cilën burri im ra në dashuri nuk ishte më aty, por u rrit dhe u bë e fortë. Ai ishte ekstremisht xheloz edhe për fëmijët, që ishin "të tijët" , diçka që nuk arrij ta kuptoj. Pra nuk ishte faji im. Këtë duhet të kuptojnë të gjitha gratë-nuk është faji juaj, këta janë burra të dobët që nuk arrijnë të komunikojnë, dhe kjo është e vetmja mënyrë që mund të komunikojnë. Ndaj duhet ta ndalojmë.
Le të flasim pak për punën sepse ju keni ardhur këtu e ftuar nga programi Swisscontact program SECO EP si mentore për të rinjtë që duan ti shndërrojnë idetë e tyre në projekte konkrete biznesi. Besoj ti ke folur me shumë prej tyre. Çfarë të ka goditur më shumë dhe cilat janë sfidat sipas mendimit tënd, pra e të rinjve shqiptarë?
Madi: Arsyeja më e fortë pse erdha, është se i dua të rinjtë. Talentet e tyre janë të pabesueshme dhe të pandikuar nga politika. Unë dua që të rinjtë shqiptarë të qëndrojnë në Shqipëri, nuk dua që të largohen duke menduar se do të kenë një jetë më të mirë në Britaninë e Madhe sepse nuk është kështu.
Në fakt një pjesë e mirë e tyre e mendon këtë
Madi: Të gjithë e mendojnë këtë sepse bari është më i gjelbër në anën tjetër, unë e shoh që kudo në Europë, të rinjtë duan të largohen, dhe të gjithë duan të shkojnë në Londër. Pse? Londra s'mund tju ofrojë asgjë. S'keni pse të jeni kamarier në një kafene në Londër, kur keni një tru, përdoreni atë, çfarë idesh keni? Si ti shndërrojmë ato në projekte konkrete. Kjo ishte edhe në thelb të evenimentit start-up që u sponsorizua nga Swisscontact. Aty pamë njerëz me ide të mrekullueshme, jo thjesht për programe apo ëebsite, por kishte edhe ide se si të ndihmosh njerëzit me aftësi të kufizuara. Të rinj që mendojnë se si të ndihmojnë të tjerët? A nuk është në fakt kjo bota që ne duam? Pra është detyra jonë ti ndihmojmë ata ti realizojnë këto ide të mrekullueshme.
Arsyeja tjetër është se dua që biznesi ta kuptojë që këta të rinj kanë nevojë për ndihmë. Pra si ti ndihmojmë të rrisin biznesin e tyre, duke krijuar kështu vende pune, të diversifikohen e mbase të bëhen ndërkombëtare. Ndaj dhe Shqipëria duhet të investojë për ti lehtësuar rrugën sipërmarrësve.
Në Britani duhen vetëm 4 minuta për të krijuar një kompani. Sa kohë duhet në Shqipëri? Si ti ndihmojmë në 6 muajt e parë që nuk fitojnë para? Të rinjtë kanë nevojë edhe për hapësirë dhe nëse i bashkon ata do të flasin me njëri tjetrin, do të ndajnë idetë dhe do të kuptojnë që nuk janë të vetëm në problemet që mund të kenë.
Sipermarrësja Madi Sharma
Barazia gjinore është një problem në Shqipëri si shumë vende të tjera dhe ne këtu flasim për kuotat gjinore që mesa duket janë e vetmja mënyrë për të garantuar pjesëmarrjen e duhur të grave në politikë, madje edhe në partinë më të madhe në pushtet. Cili është mendimi yt për kuotat?
Madi: Mua s'më pëlqejnë kuotat, dua të mendoj që e fitova punën sepse e meritoj. Por na duhen objektiva të përkohshëm, pra le të themi në 2 vitet e ardhshme do ta ndërrojmë sistemin duke patur 25 % gra, në 5 vjet të arrijmë 40 %. Nëse arrijmë 60 me 40 % është shumë mirë sepse kur ke më shumë se 33,3 % atëherë ke një masë kritike që të mund të bindësh të tjerët, por s'mund ta arrish këtë nëse ke më pak. Dhe në këtë mënyrë mund të arrijmë ndryshimin, dhe mund ta dallosh në ato vende që e kanë arritur, Suedia është shembulli klasik apo Norvegjia, ku ka një shoqëri më të balancuar dhe të qëndrueshme, dhe ky është objektivi.
Thatë pak më parë që s'duhet të ankohemi për politikanët por të kërkojmë. Por ka një problem me shqiptarët mesa kam kuptuar, njerëzit ankohen shumë por nuk veprojnë. Cila është këshilla juaj?
Unë skam jetuar kurrë në komunizëm por e di që ende ekziston ajo frika që dikush do të spiunojë tek qeveria apo shërbimet sekrete. Kohët kanë ndryshuar dhe duhet të dalin në rrugë, kështu janë bërë revolucionet dhe kemi parë se çfarë ka ndodhur. Bashkimi Europian u krijua pikërisht sepse njerëzit dolën në rrugë. Pra nuk mund të pranosh që një fëmijë të abuzohet por duhet ta dënoni këtë gjë. Por në të njëjtën kohë, politikanët duhet të dëgjojnë, jo thjesht politikanët në Shqipëri por politikanët kudo nëpër botë. Europa është njësoj. Politikanët janë kudo egoistë. Por që ata të dëgjojnë duhet të kemi një zë të përbashkët dhe atëherë ata s'do të kenë zgjidhje tjetër por veçse të veprojnë, sepse po nuk e bënë, nuk do të marrin votat herës tjetër. Prandaj kur diçka e keqe i ndodh ndokujt, vendosuni në pozitën e atij njeriu dhe ngrihuni e flisni për atë që besoni sepse herës tjetër mund t’ju ndodhë juve.
Sipermarrësja Madi Sharma dhe gazetarja Erjona Rusi
Redaksia online
(a.n shqiptarja.com)