Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka dënuar sulmet e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, ndaj mediave gjatë komunikimit me ndjekësit në rrjtet sociale. Sali Berisha i akuzoi mediat se përse u dhanë hapësirë kandidatëve që synuan të garojnë per kreun e PD, duke i quajtur mediat si mafia më e rrezikshme e Shqipërisë. Berisha nuk foli me emra, por gjatë komunikimit i cilësoi pronarët e mediave si mafiozë.
“Mos harro dhe njëherë, janë refuzuar ata të cilët në fushatë kaluan në parti të tjera dhe i urdhëruan si skllevër që janë, të vazhdojnë lojën e tyre kundër PD-së. I urdhëruan, i përdorën dhe i keqshfrytëzojnë nëpër studio për zhurmë, mafia më e rrezikshme e Shqipërisë, është mafia e fjalës së lirë. Pronarë mafiozë mediash, njerëz të zhveshur nga çdo karakter, thërrasin në studio njerëz të kaluar në parti të tjera dhe u venë si epitet funksione që nuk i kanë pasur kurrë në parti”, deklaroi Berisha.
Në reagimin e tij asociacioni i cilëson të papranueshme dhe të dëmshme për klimën e lirisë së shtypit në vend, etiketimet e Berishës si “mafia e fjalës së lirë”, “pronarë mafiozë mediash”, apo çdo formulim tjetër që synon të delegjitimojë median për shkak të linjës editoriale, qëndrimeve kritike apo hapësirës që u jep aktorëve të ndryshëm publikë.
AGSH thekson se kritika ndaj medias është legjitime në një shoqëri demokratike, por ajo nuk mund të shndërrohet në gjuhë linçuese, intimidim publik apo sulm të përgjithësuar ndaj gazetarëve dhe redaksive.
Reagimi i plotë
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon gjuhën e përdorur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj mediave, pronarëve të mediave, gazetarëve dhe hapësirës mediatike në tërësi, gjatë komunikimit të tij publik me qytetarët të shtunën.
Etiketimet si “mafia e fjalës së lirë”, “pronarë mafiozë mediash”, “vrasës të të vërtetave”, “shërbëtorë të përulur” apo çdo formulim tjetër që synon të delegjitimojë median për shkak të linjës editoriale, qëndrimeve kritike apo hapësirës që u jep aktorëve të ndryshëm publikë, janë të papranueshme dhe të dëmshme për klimën e lirisë së shtypit në vend.
AGSH thekson se kritika ndaj medias është legjitime në një shoqëri demokratike, por ajo nuk mund të shndërrohet në gjuhë linçuese, intimidim publik apo sulm të përgjithësuar ndaj gazetarëve dhe redaksive. Politikanët, veçanërisht ata që mbajnë funksione të larta publike ose drejtojnë parti politike, kanë përgjegjësi të shtuar për të shmangur gjuhën që nxit armiqësi, presion apo mosbesim të organizuar ndaj medias.
Media në Shqipëri ka probleme reale që lidhen me pronësinë, transparencën, presionin politik dhe ekonomik, por këto çështje duhet të trajtohen përmes debatit të përgjegjshëm publik, mekanizmave ligjorë, vetërregullimit dhe standardeve profesionale, jo përmes sulmeve denigruese që rrezikojnë të vendosin gazetarët në shënjestër.
Komente











