Të qenit i vetmi kandidat për kryetar të PD-së në zgjedhjet formale që pritet të mbahen për drejtuesin e selisë blu më 23 maj, për Sali Berishën, është një garë. Edhe pse do të jetë i vetëm, sipas Berishës, PD është partia më e hapur dhe ndër të paktat parti në Europë dhe botë që e zgjedh kryetarin përmes votës së anëtarësisë.
“PD ka garën më të ndershme dhe formën më demokratike të garës që mund të ekzistojë. PD është parti e hapur, nuk mund ta marrë kush kurrë këtë parti”, tha Berisha.
24 orë pasi PD refuzoi 5 kandidatët që aplikuan të rivalizojnë Berishën, pa përmendur emrin e Ervin Salainjit, kreu i demokratëve, i qëndroi argumentit se atij iu refuzua gara për shkak se po bën lojën e PS-së.
“A mund të imagjinosh që në garën e PD-së të marrin pjesë kandidatë të Edi Ramës. Apo kandidatë të cilët në fushatë elektorale punuan haptas kundër PD-së në çdo parti me ndërgjegje politike, këta përjashtohen, për tradhtinë që i kanë bërë partisë së tyre në fushë betejë, në moment beteje", tha Berisha.
Ai hodhi sërish akuza ndaj Salianjit, duke thënë se ai merr udhëzime nga krimi dhe se kur ishte në burg u birësua nga Pëllumb Gjoka dhe Oltion Bistri.
"Nuk mund të kandidojë ai që bashkëpunon me krimin që merr udhëzimi nga Bistri dhe Agasi, që ne e bënim hero në burg kurse ai shtronte dreka dhe darka me Gjokën dhe Bistrin. Salianji në burg e shiti veten. Në burg ai u birësua nga Pëllumb Gjoka dhe Oltion Bistri, sapo doli ishte në shoqërinë e Agasit”, thotë Berisha.
Berisha, zgjodhi të mos përmendë me emra as Evi Kokalarin e Alesia Balliun, të cilave nuk iu pranua aplikimi…Por një përgjigje më konkrete e kishte për dyshen surprizë që shfaqën dëshirën të jenë në krye të PD-së, mekjen Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj.
“Nuk mund të kandidosh për kryetar të PD-së në një kohë kur nuk ka asnjë kontribut qenësor, relevant të njohur nga partia. Nuk e bën kërkush sepse e bën qesharake garën”, tha Berisha.
Mungesën e garës së brendshme, e kritikoi edhe portali i drejtori të komunikimit në PD, Alfred Lela.
Politiko.al: A po e çon PD-në drejt gjykatave mungesa e garës brenda partisë duke u nisur nga fakti se kandidatë si Evi Kokalari kanë paralajmëruar padi, ndërsa Ervin Salianji dhe Mereme Sela kanë kundërshtuar publikisht skualifikimin e tyre dhe a rrezikon kjo të minojë besimin tek procesi për kreun e partisë?
Berisha: Unë i them portalit se këtë parti, Edi Rama nuk mund ta marrë kurrë me kandidatura të shtira. Të tjerë, i quajnë humbje edhe më të madhe energjie të opozitës, zgjedhjet pa garë, duke sugjeruar fokus te: Fokusi i debatit publik, por dhe i debatit të brendshëm duhet të jetë lufta ndaj regjimit.
Vendimi për të përjashtuar kandidatët nga gara për kreun e PD-së, erdhi në të njëjtën ditë që Sali Berisha u kthye nga Zagrebi, ku mori pjesë në samitin e Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë. Me vete mori një rezolutë të prodhuar nga ky samit, me qëndrimet e opozitës, se integrimi është duke ecur me hapa të ngadaltë për shkak të korrupsionit dhe se në Shqipëri zhvillohen zgjedhje që nuk përmbushën standardet ndërkombëtare.
Komente










