Mafra,një ëndërr për paqen

Mafra,një ëndërr për paqen
Ndërsa hynim në avionin e linjës Tiranë-Frankfurt,një valë e të nxehtit të mesditës së Tiranës së fillimkorrikut, përzier me jehonën e thashethemnajës së vjedhjes së parave, një ditë më parë, e cila ishte mbizotëruese në gati dy orët e pritjes së nisjes sonë në aeroport, mbeti befas pas, e prerë dhunshëm nga mbyllja e derës.

Kapiteni gjerman, mustaqet e prera imët të të cilit dukeshin sikur vallzonin lehtë nga fryma e tij e buzëqeshjes,na uroi mirëseardhjen, ndërkohë që stjuardesat, plotësonin atë buzëqeshje të kapitenit me pulitjen e syve krejt dritë.

Bashkë me vajzën time, Klaudian, udhëtonim për në Lisbonë, në një takim të inicuar nga Universiteti i Vlerave, i cili e ka qëndrën në qytetin e vjetër historik të Portugalisë, Mafra.

gjon

Ky universitet i afron publikut një hapësirë dhe mjete për eksperiencat e të mësuarit,të cilat kanë për qëllim të zhvillojnë inteligjencën universale.Ai demonstron përmes metodave shkencore dhe teknologjive më të fundit, përvojave rikrijuese edukative dhe praktikave bashkëkohore, atë që secili individ të kuptohet si një manifestim unik i universit, bashkëpunues me shumë manifestime të tjera të këtij lloji, duke përmbajtur të gjithë potencialin dhe pafundësinë,kuptimin dhe gjithësinë e tij.
Universiteti i Vlerave promovon vlera universale, të cilat transmetojnë kulturë përmes zhvillimit të kompetencave, që i japin kuptim veprimit, duke kontribuar për arritjen e paqes, lumturisë dhe mirëqënies individuale dhe kolektive.

gjon

Ky universitet është krijuar krijuar nga ILIDH.Instituti Luso-Ilir për Zhvillimin Njerëzor (Instituti iLIDH) është një qendër kolektive, jo fitim-prurëse, e themeluar në vitin 2012.Instituti ka si mision të bëjë kërkime, të studiojë dhe të promovojë aktivitete me karakter shkencor, teknik, edukativ, kulturor, mjedisor, sportiv dhe biznesi në fusha të ndryshme që nxisin bashkëpunimin dhe zhvillimin.

Vizioni i qëndrës është të kontribuojë për mirëqënien personale, sociale dhe progresin e qytetarimit, nëpërmjet promovimit dhe zhvillimit të kompetencave të shekullit XXI, kompetencat, personale, sociale dhe civile, të themeluara në etiken globale.

Instituti iLIDH vepron ne fusha te ndryshme, si Edukimi, Kultura, Bashkepunimi dhe Zhvillimi, dhe Menaxhimi i Mesimeve Organizacionale. Në fushën e Edukimit, zhvillon iniciativa që parashikojnë zbatimin e qëndrueshem të aftësive personale, ndërpersonale dhe sociale ne sistemin e edukimit, duke përfshire shkolla dhe institucione të kërkimit dhe politikës publike, në Shqipëri dhe në Evropë.

Instituti iLIDH ka zhvilluar materiale, me miratim shkencor,që promovojnë zhvillimin e kompetencave në fëmijët dhe të rinjtë, duke adresuar veçanërisht çeshtjet mbi etikën, zgjidhjen e konfliktit, dialogun ndërkultural dhe evropian,barazinë,marrëdhëniet ndërpersonale,jodiskriminimin,afektivitetin,familjen,parenting, abuzimet e substancave, midis te tjerave - në kuadër te Programit LED on Values, Programi i parë Evropian i Literacise Sociale.Ky program ka filluar ne 2010 dhe bashkëpunon me organizata te ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

Në fushën e Kulturës, Instituti iLIDH është i angazhuar në promovimin e dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar, duke e prezantuar Shqipërinë në Evropë dhe në botë si një nga shembujt më të mirë të bashkëjetesës paqësore midis feve të ndryshme.Në fushën e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit, Instituti iLIDH propozon modele te reja te qeverisjes qe përfshijnë në Kulturën dhe Shoqërinë, parime themelore të Shoqërisë së Njohurisë, optimizimin e sistemeve te informacionit dhe menaxhimit të Njohurisë,që nxisin zhvillimin lokal, rajonal dhe kompetencat territoriale.

II
Ai drejtohet nga Lourenço Xavier de Carvalho , konsulli i Shqipërisë në Portugali dhe e shoqja, shqiptare, Eva Ndrio de Carvalho,PhD dhe Master në Sociologji, ndërkohë që ka studjuar për gjeografi dhe filozofi, në Shqipëri dhe Portugali.Një çift njerëzish idealistë, të mrekullueshëm, me vizion dhe koncept sa realist, aq dhe mistik për botën ku jetojmë, brenda një ekuilibri delikat dhe të tejdukshëm, ku padyshim mikpritja dhe mirësia janë piklat më të ndritshme dhe të dukshme të personalitetit të tyre.
Ata  kanë tre djem,Patriku, Eriku, Davidi,të cilët flasin lirshëm gjuhën shqipe dhe mbajnë krahas mbiemrit të babait portugez edhe mbiemrin e nënës së tyre shqiptare, fëmijë të këndshëm, të cilët bashkojnë pasionet e tyre të muzikës dhe sportit dhe janë nxënës të shkëlqyer.

Eva ka ditur ti  gjejë, afrojë dhe ti bashkojë vazhdimisht fëmijët me njërin apo dy prindër shqiptarë, të cilët jetojnë në Lisbona dhe rrethinë, apo edhe nga qytete të tjera portugeze, por edhe nga vende të ndryshme si Çekia, rreth aktiviteteve gjithëvjetore të misionit të organizatës që drejton, bashkë me burrin e vet, duke krijuar kësisoj një lidhje të vazhdueshme shpirtërore dhe edukative midis tyre dhe duke ndihmuar në shkollimin dhe edukimin adekuat me vlerat evropiane si dhe me ruajtjen dhe kultivimin e ndjenjave të atdhedashurisë.

Një prej tyre,Kristi,na ndihmoi vazhdimisht në udhëpërshkrimin tonë në Portugali, si një guidë profesionale, ndërkohë që ishte aq i dashur me njerëzit e atdheut të tij, Shqipërisë, të cilin e viziton çdo vit.Ndërkohë që po përgatitet të studjojë në universitet, ndoshta një ditë kthehet të punojë dhe jetojë në Shqipëri.Ai një pasdite, pas trajnimit të gjatë na drejtoi dhe shoqëroi në qytetin e Mafras, vendlindje e Mbretit Zhoao, themeluesit të Portugalisë, në rezidencën e vjetër të të cilit, është vendosur dhe po ngrihet madhërishëm Korpusi i Universitetit të Vlerave, me kontributin e posaçëm të familjes Carvalho, duke filluar nga idetë, deri tek bimët e llojllojshme të mbjellura në kopshtin përrreth, të shoqëruar me tabelat përkatëse me emrat e tyre latinë dhe vlerat për shëndetin e njerëzve.
Mafra, një qytet sa i vjetër, aq dhe i ri ka si pikë referimi pikërisht Pallatin Mbretëror, një mrekulli e arkitekturës dhe historisë, ku strehohet aq sigurtë kronika e etapave të zhvillimit historik dhe kulturor të Portugalisë. Do të mjaftonte ky pallat që Mafra të ishte e rëndësishme si qytet për portugezët, pavarësisht se qyteti tashmë ështe edhe një pikë turistike si dhe nyje lidhëse drejt Eriseirës, plazhit të famshëm të sërfit në oqeanin Atlantik,puhiza e të cilit sa shumë i freskon mëngjeset dhe mbremjet e Mafras, nga jugu dhe perëndimi.
Një qytet i vogël piktoresk, ku duket se banon veç qetësia dhe prehja njerëzore, ku edhe makinat nuk ndjehen, nën pushtetin e gjelbërimit dhe luleve, të cilat janë kudo, edhe mbi shtyllat anash rrugëve, ku çdo muzg punonjësit e gjelbërimit të komunës i zbrisnin vazot, i vadisnin diku në periferi dhe i risillnin përsëri në vendin e tyre, duke mos lagur asnjë çast kalldrëmin, ku shëtisnin qytetarët buzëmbrëmje.

Pallati mbretëror është krenaria e tyre dhe mbetet i supervizituar nga vendas dhe të huaj, nëpër thellësitë e mjediseve, interiereve, koridoreve, dhomave dhe kopshteve pafund ndjehet teksa frymon nëpër kapërcyell të ndryshëm kohorë ngjizja dhe ringritja si komb dhe si psikologji.

gjon

Ndërkohë që në Mafrën e re përtej ngrihen vilat, urat e mëdha, stadiumet, fushat e tenisit dhe shëtitoret e gjera, ku mbi gjithçka vlerësohet ajri i pastër dhe mundësia e të ndjerit mirë të qytetarëve të vet.
Paqja është fjala më e thekshme në Mafra, nocioni më i lakuar, objektivi gjithmonë i synuar, krenaria e çdo dite, vlera e tyre më e madhe! Nuk kam parë askund një vend , ku aq fort lakohet dhe vlerësohet kjo fjalë, sikurse emri i Nënës Terezë shkakton vetëm respekt dhe përulje të veçantë.Liria, paqja e shijimit të momentit tënd jetësor,i dhembjes dhe i dashurisë, i të ndjerit komod me veten dhe të tjerët, me vendin ku jeton dhe botën përrreth, me Zotin a me natyrën, me mikun dhe armikun, duke vlerësuar mbi gjithçka tjetër faktin se jeta si një dhuratë duhet vlerësuar dhe jetuar dinjitetshëm dhe mbi të gjitha në paqe!
Në programin e trajnimit ka komunikim të lirë mes përfaqësuesve nga gati 20 shtete,kombinime të eksperiencave dhe arritjeve jetësore, punime në grupe rreth të qënit njeri, vend, komb apo grup me vlera të mirëpranuara nga të gjithë, vizita të përbashkëta, joga, meditim si dhe shpërfaqje e vlerave të veçanta nga çdo vend.Diku një këngë, diku një valle, një arie, një pjesë në violinë apo në pjano, një zbulim teknologjik apo ndarje mes njeri tjetrit e çasteve intime rreth dashurisë, bashkëjetesës, martesës, ateizmit dhe besimit në zot, globalizmit dhe individualizmit, lirisë dhe vrasjes së shpresës…
gjon

Të harmonizuara aq bukur,të planifikuara në mënyrë interesante, momentet rrjedhin aq natyrshëm sa familjarizohesh me vendin, ngjarjet dhe rrjedhjen e kohës, sa mendon se ka vite që je aty, s’të bëhesh të largohesh dhe kujton se je pjesë e përjetshme e këtij diskutimi dhe dialogu kulturor, të vjetër dhe të ri sa bota ku jetojmë, ku shpresojmë të jemi sa më gjatë dhe sa më të lumtur!
III
Shkojmë në Lisbonë të shohim së bashku finalen e kampionatit evropian të futbollit, unë, Klaudia, Sheba, Jill, Tamara,Kadija, Lot, Kristi,Macy,Irma, Iva ,Darka, Veerle…
Lisbona si një oaz vezullon prej dritave, në atmosferë, përmes thirrjeve ndjehet parakohe fitorja, si një dritëz e sheh në përshëndetjet edhe ndaj të huajve, edhe në respektin e shërbimit në restorantet e improvizuara mes rrugëve, ku gëlon dashuria dhe gjallëria e një brezi që në të ardhmen do ta bëjë padyshim vitale dhe krenare Portugalinë, ashtu si atë mbrëmje të paharrueshme edhe për ne, e bëri krenare skuadra kombëtare e futbollit me Ronaldon me shokë.

Sheshi ku janë mbledhur jo më pak se 30 mijë shikues, para një skene dhe ekrani gjigand gjëmon prej entusiazmit të shfrenuar, gëzojnë, këndojnë dhe përqafohen të gjithë, portugezë dhe të huaj, kalojnë gotat e birrës dorë më dorë, ja marrin valleve dhe kërcejnë nën ritmet e njohura botërore dhe ndihen të gjithë të lumtur, qytetarë të pandarë të një bote, ku futbolli si vlerë i ka bërë aq krenarë.Asnjë incident, asnjë shqetsim, gjer afër mëngjesit gëzimi dhe festa janë kryefjala.

Duke u kthyer i lumtur, por edhe i kalamendur nga lodhja dhe hareja, mendoj sesa e rëndësishme është që në çdo çast të jetës tonë, të gjejmë, përcaktojmë dhe të lidhim pas vetes vlera, të cilat i bejnë më të buta dhe pikante ditët tona.Sado vonë Lorenco, Eva dhe stafi tjetër i qëndrës janë aty, me fjalë të ngrohta, me ushqimin e zgjedhur, ku padyshim spikat Bakelau e famshme, të cilën e shijova aq shumë.

Atë natë dhe gjithë të tjerat, sikurse edhe gjatë çasteve të paharrueshme të udhëtimit me këmbë drejt Eriseiras, nëpër pyje dhe boka, ku dora e portugezit të thjeshtë, por shumë krijues dhe punëtor ka krijuar mrekulli bio të ushqimit të gjelbër, gërshetuar aq bukur me urat e mëdha dhe monumente të vjetra kulturore të ruajtura me fanatizëm si kisha, faltore…

Një tokë e thatë, por e kultivuar me dashuri që shkëlqen me ngjyrat e prodhimit të konvejerit të gjelbër, por edhe me vepra arkitekturore dhe konservim të mahnitshëm dhe krenar të monumenteve historike.

Djemtë dhe vajzat si Kristi, Xhesika, Ondra dhe femijët e Lorencos dhe Evës s’na ndahen asnjëherë mua dhe Klaudias, ndjehen natyrshëm të afërt me ne dhe shfrytëzojnë çdo rast të shkëmbejnë informacion për vëndin tonë, të përmirësojnë shqipen, të këndojmë së bashku hite shqiptare dhe të huaja.Me ne është dhe Ines Mustafaj, një nxënëse e talentuar e gjimnazit “Partizani” e pasionuar pas gjuhëve të huaja dhe biologjisë, e cila e plotëson më së miri grupin tonë.

Ndihem aq mirë në këtë konglomerat moshash, shijesh, kulturash dhe bindjesh të ndryshme, sikurse dhe profesionet e tyre.Mësues, psikologë, doktorë shkencash, nxënës, studentë, muzikantë, punëtorë, që ndjehen ndoshta njësoj si unë, të qetë, të lumtur, të vlerësuar, unik në llojin e vet të funksionimit, pavarësisht moshës, shkollimit apo vendit nga vijnë.Pjesë e një kaleidoskopi të mrekullueshëm njerëzor, të kapur fort pas vlerave që ju besojnë dhe të frymëzuar nga një inisiativë aq origjinale e një çifti shqiptaro portugez dhe një institucioni aq unik në identitetin e vet si Universiteti i Vlerave i Mafras!

Në ditën e fundit zhvilluam një seancë Joga, medituam së bashku, provuam ta analizojmë udhëpërshkrimin tonë jetësor, sollëm prapë diçka përfaqësuese nga secili vend, kënduam, kërcyem, u përlotëm…

E paharrueshme vallja e Tropojës, kërcyer nga Klaudia , që marrosi dhe përfshiu në vorbullën e vet dhjetra të tjerë, në atë ritëm marrëmëndës, që veç ajo di ta ketë! Ines, Kadija, por dhe Eva, Lorenco, bile dhe kuzhinieret e çuditura me këtë marrëmendje, kercejnë të lumtura!

Bëhet vonë natë në Mafra, në fillim muzgu si melankoli ritmuese, pastaj terri thermohet në drita të panumurta dhe shushurimen e largët të dallgëve.Nuk më zë gjumi në dhomën alpine prej druri, me dritare të vogla, nuk dua të humb asnjë çast, ndërsa brenda meje ballafaqohen modele dhe opsione kontraverse jetësore, kujtime, impresione dhe pamundësi të së kaluarës, të rigjetura vonë në këtë mjedis të çuditshëm të Portugalisë.

Të “Portus cale”, port i bukur,ku  ka pasur një lulëzim konstant po thuaj gjatë 3100 viteve të dominimit të perandorive dhe kulturave të ndryshme… 
Ku po lulëzon mbi të gjitha përpjekja për të sanksionuar si standart të shekullit të ri paqja universale, e filluar nga zemrat e njerzve modestë, të cilët besimin mbi këtë vlerë e kanë mbi gjithçka tjetër!

III
Ka kaluar gjysma e natës, kemi përshkruar me avion përmes Evropës dhe po i afrohemi Tiranës.Më ka marrë malli sinqerisht për atdheun tim, ani pse shoh sesi punonjësit e sherbimit plasin pa kujdes valixhet, taksia na kërkon 30 euro deri në Laprakë dhe ndihet era e pluhurit që ka ngopur ajrin e nxehtë dhe të lagësht të kryeqytetit.

Shpresa si një dimension i rifituar më bën ti shpërfill keto dhe të mendoj sesa i bukur është vendi im! Dhe se patjetër një ditë do të jetë si Portugalia, si Gjermania , si Franca, si Zvicra, të cilat i lashë pas ndërsa nata binte …

Kjo shpresë më e madhe falë një udhetimi mes vlerash dhe njerëzish të mirë!

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë