Magjia e krijimtarisë artistike përmes kamerës së Fisnik Maxville! Bisedë me regjisorin e mirënjohur me origjinë kosovare

Magjia e krijimtarisë artistike përmes kamerës së Fisnik Maxville! Bisedë me regjisorin e mirënjohur me origjinë kosovare

Regjisori me origjinë kosovare Fisnik Maxville

Nëse do të duhej ta përkufizoj me tre epitete do të thosha: modern, i saktë dhe i thellë.

Fisnik Maxville është një regjisor kosovar i cili prej 25 vitesh jeton në Zvicër. Nëpërmjet këtij bashkëbisedimi kërkoj të zbuloj më mirë botën e këtij artisti, të cilin e kam njohur nëpërmjet rrjeteve sociale. “The Valley of Happiness”, një film i shkurtër i xhiruar në Siri, “Lost Exile” dhe shumë filma dokumentarë me metrazh të shkurtër mbajnë firmën e tij, por sfida e fundit është “The Land Within”. “The Land Within” është  filmi i tij i parë me metrazh të gjatë, i cili, është fitues i disa çmimeve si: filmi më i mirë dhe regjisori më i mirë në PriFest, festivalin e filmit të Prishtinës 2023, apo “Best Filmdirector Award” në festivalin e filmit të pavarur Raindance Film Festval në vitin 2023. Filmi është shfaqur deri tani në pothuaj tridhjetë vende të botës duke korrur sukses sidomos në Kosovë, Zvicër, UK, Amerikën Latine dhe Azi.

Përpara se të studionte regjisurë në Lausanne të Zvicrës, ai ka studiuar Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Gjeopolitikë midis Gjenevës  dhe Londrës.

Më vjen natyrshëm ta pyes se përse ka zgjedhur kinematografinë përtej studimeve të mëparshme. A ishte kjo një nevojë për t’u shprehur ndryshe?

Më tregon se familja e tij ka emigruar që në vitin 1989 në Gjenevë (Zvicër). Sigurisht, duke ardhur nga një familje emigrantësh kosovarë jeta nuk ka qenë aspak e lehtë.  u Qysh i vogël ka qenë i etur për të parë filma por pamundësitë ekonomike e bënin të vështirë ndjekjen e botës së kinemasë. Në fillim të viteve dymijë, teknologjia po avanconte dhe filmat nga formati VHS po kalonin në atë DVD. Kështu, vlera e videokasetave u bë më e përballueshme dhe videoteka e tij “personale” arriti shumë shpejt të numëronte mbi 500 tituj filmash (duke filluar nga ata komercialë e deri tek ata underground). Kësisoj nisi të marrë trajtë një “sinefil” i ri e bashkë me të një ndjenjë e fortë për t’u shprehur ndryshe. Po ashtu, nisi të marrë pjesë në klubet e sinefilëve gjatë studimeve, duke u përballur me mendësi nga më të ndryshmet. Pesha e mbartur mbi supe si pasojë e prejardhjes nga një familje emigrantësh, e bënte të ndihej sikur në njëfarë mënyre i mungonte legjitimiteti për t’u bërë artist. Asokohe, në sytë e tij ky privilegj duhet t’i përkiste vetëm  pinjollëve të familjeve që dalloheshin për mbrujtjen e tyre ndër breza me art e kulturë.

Duket sikur ke pasur përherë nevojë të konfirmohesh, përse?

Më përgjigjet me një sinqeritet të dukshëm se nevoja për të pasur konfirmime ka qenë dhe vazhdon të jetë prezente, duke synuar hap pas hapi nivele më të larta. Statusi i emigrantit që largohej nga ish-Jugosllavia e ka shenjuar dhe, pse jo, edhe ndihmuar në njëfarë mënyre të bëhet ai që është sot. Në fakt, emigrimi ka qenë shumë i vështirë në fillim ato vite kujton ai, jo në formë ankese por si njëfarë mirëkuptimi edhe ndaj prindërve, të cilët mes vështirësive u mëkonin tre fëmijëve të tyre nevojën e pashmangshme për ta arritur çdo gjë në jetë nëpërmjet ekselencës. Studimet e larta të kryera në Marrëdhënie Ndërkombëtare, puna në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës ishin hapa që do ta bënin të ndihej se i kishte shlyer detyrimet shoqërore më së miri. E ky detyrim për të shkëlqyer në mësime dhe profesion, do t’i falte Fisnikut dhe motrave të tij legjitimitetin, siç do të shprehej ai, që një ditë ta konsideronin veten të barabartë mes zviceranëve. Ndërsa ngjiste shkallët e karrierës, ndihej se kishte arritur një lloj statusi social, që e lejonte jo vetëm t’i tregonte shoqërisë se ishte i denjë për vendin që ai zinte në gjirin e saj, por edhe se kishte ardhur koha të ngjitej në një tjetër dimension, atë të regjisorit. Pikërisht pasi i kishte kryer të gjitha këto “detyrime” ndaj atdheut të ri, kuptoi se në zemrën e tij vendin kryesor e zinte kinematografia. Kështu ndërmori hapin për të kryer studimet Master për regjisurë.

Cili është filli lidhës ndërmjet filmave të tij?

Aktualisht filmi i tij me metrazh të gjatë “The Land Within” (Toka Brenda nesh) po shfaqet në shumë kinema, në festivale filmi dhe madje edhe në platformat digjitale si HBO Max dhe Apple Tv. Për këtë film ai ka zgjedhur në rolet kryesore Florent Bajgora dhe Luana Bajramin, një tjetër aktore-regjisore e re me origjinë shqiptare të Kosovës, shumë e talentuar dhe e njohur për audiencën frankofone dhe shqiptare. Me Luanën e lidhi rastësia pasi e pa të luante një rol në një film francez. Bashkëpunimi ishte i menjëhershëm dhe mbi të gjitha sintonia që i bashkoi mbi ndërtimin e personazhit. Kërkimi i identitetit mbetet një temë, që ai e ka trajtuar dhe vazhdon ta trajtojë në filmat e tij dhe madje edhe në projektet e ardhshme mbi të cilat po punon aktualisht. Fisniku e sheh kërkimin e identitetit si një përpjekje sa më universale të çdo njeriu për të gjetur vendin që i takon në këtë botë.

Çfarë subjektesh trajtohen në “Bota brenda nesh” dhe çfarë mesazh përcjell ky film?

Filmi sjell në fokus jetët e dy njerëzve që kanë lidhje farefisnore, por që nuk takohen prej dhjetë vitesh. Dhjetë vite të mbushura me ngjarje shumë të rëndësishme, përfshirë këtu dhe një luftë pa dhënë detaje se ku ka ndodhur. Dilema që përshkon filmin është nëse personazhet do të arrijnë të lidhin fijet e dikurshme me njëri-tjetrin dhe të gjejnë vendin e tyre në botën ku jetojnë. Përsëri regjisori flet në terma universale dhe kjo është fija lidhëse e të gjithë filmave të tij. Pyetja që shtrohet në film është nëse kemi mundësi të largohemi nga e kaluara apo e kaluara do ta na shtypë tërë kohës duke vendosur mënyrën si do të marrë rrjedhë jeta e jonë. Regjisori preferon të nxisë publikun dhe e lë përgjigjen të hapur sipas perceptimeve dhe interpretimeve personale.

1721584748_filmfestival.JPG

Si është pritur nga publiku dhe cili ka qenë reagimi i tij ndaj filmit?

Ajo që e ka prekur më shumë regjisorin, është reagimi i njerëzve nga anë të ndryshme të botës, që e kanë kuptuar më së miri mesazhin e përçuar, pavarësisht realiteteve të ndryshme që ata u përkasin. “The Land Within” ka trajtuar tema shumë të rëndësishme, përfshirë këtu edhe luftën, në një dimension që shkon përtej përjetimeve personale. Filmin regjisori nuk e trajton si një mishërim të fakteve historike, por e sjell si një pikëpamje me trajta  universale.

Çfarë e nxit apo e frymëzon Fisnikun regjisor?

Çdo gjë për të nis nga librat, që i nxisin imagjinatën më shumë se çdo gjë tjetër. Këtu veçon Albert Camus si një ndër autorët e tij të preferuar. Ndërsa si regjisorë veçon Abbas Kiarostami, Andrej Tarkosvky dhe regjisorin turk fitues të edicionit të 67-të të festivalit të filmit të Kanës, Nuri Bilge Ceylan. Kinematografia e lejon ta shprehë botën e tij të brendshme nëpërmjet imazheve Ndërsa risia e kamerës së tij qëndron në mënyrën sesi e trajton filmin nën optikën e realizmit magjik.

A mendon se kinematografia është forma më sublime e shprehjes së shpirtit të tij?

Po, mendon se ka zgjedhur të bëjë regjisorin pasi për të ajo është puna që ai mund të bëjë më mirë. Fokusi i tij mbeten imazhet. Nëpërmjet kamerës së tij ai preferon ta mahnisë publikun pa treguar shumë ose aspak mbi skenarin. Studimet e mëparshme mbeten shumë të vyera kur vjen puna për t’i trajtuar ato si tema në filmat e tij. Ai mendon se ka më shumë aftësi që nëpërmjet filmit të trajtojë tematika të thella siç janë analizat historike apo temat gjeopolitike në mënyrë shumë më interesante dhe të gjallë sesa në çdo formë tjetër. Kinematografia është një mundësi e artë e të shprehurit ose të paktën e asaj që Fisniku dëshiron të shprehë. Magjia e krijimit të imazheve nëpërmjet kamerës është gjithashtu një mundësi për të krijuar një realitet paralel. E këtë fuqi ia njeh kinematografisë si mënyra artistike më e përshtatshme për këtë qëllim.

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

 Dimri i vertetë ka mbërritur! Orteqet e borës izolojnë Iballën në Fushë-Arrëz! Banorët përballen me vëshitërsi në Shishtavec të Kukësit dhe Theth të Shkodrës

Dimri i vertetë ka mbërritur! Orteqet e borës izolojnë Iballën në Fushë-Arrëz! Banorët përballen me vëshitërsi në Shishtavec të Kukësit dhe Theth të Shkodrës