Magjia e mendimeve të mira, sisu, vjen nga Finlanda e Sanna Marin

Magjia e mendimeve të mira, sisu, vjen nga Finlanda e Sanna Marin

Sanna Marin, kryeministre e Finlandes

Kryeministrja 36 vjeçare e Finladës, Sanna Marin, është një ajër i freskët në politikën e Europës. Habiti me vendosmërinë e saj për të bërë Finlandën pjesë të NATO-s pasi Rusia e Vladimir Putinit sulmoi Ukrainën, duke i dhënë fillim një ankthi të padëshirueshëm, të papritur e të rrezikshëm në zemër të Europës. Sot, te Corriere della Sera Marin flet gjatë për veten, për Europën dhe për popullin e saj në këtë periudhë të vështirë dhe nga e gjitha çka thotë, bie në sy sisu, një fjalë, një koncept, një filozofi e padëgjuar më parë, por mesa duket është thelbi dhe sekreti i një populli që kërkon më të mirën për veten dhe për të tjerët.


Sisu – çfarë është dhe pse do të ishte e vlefshme për të gjithë

Nga India, në Greqi, në Gjermani, në SHBA, në Kanada, në Japoni, Indonezi, Australi etj. duket se popujt, të vënë shpesh në vështirësi mbijetese, kanë gjetur formulat e tyre magjike të kalimit të vështirësive dhe të përmirësimit të jetës. Se ç'është dhe ku është Finlanda sot, shumë prej nesh e dinë mirë. Me sfida nga më të vështirat jemi përballur edhe ne shqiptarët. A e kemi dhe ne gjithashtu sot formulën tonë magjike? Ndoshta po, ndoshta akoma jo, ndoshta po e kërkojmë dhe po e perfeksionojmë. Gjithësesi, të mësojmë nga të tjerët është përherë një gjë e mirë. Qoftë edhe nga kryeministrja 36 vjeçare finlandeze, Sanna Marin.

Në të vërtetë fjala sisu nuk ka një përkthim të saktë, por përmbledh në vetvete shumë koncepte: këmbëngulje, forcë, energji, kurajo. Është një filozofi jete e cila duhet të zbatohet me përpikmëri çdo ditë, jo vetëm për të përballuar vështirësitë, por edhe për të krijuar një mirëqënie të brendshme, të domosdoshme për të ecur përpara.

Fjala sisu e ka një periudhë lindjeje, origjine. Ishte 30 nëntori i 1939, kur Bashkimi Sovjetik i shpalli luftë Finlandës. Një konflikt që zgjati 105 ditë dhe ku populli finlandez dukej haptazi në dizavantazh si për shkak të numrit, ashtu dhe të mjeteve të luftës. Por, papritur, në atë kohë lindi dhe termi sisu, si një burim i pamatë kurajo, motivimi dhe mbështetje reciproke mes njëri-tjetrit. Një mënyrë mendimi dhe veprimi që krijoi një energji magjike mes finlandezëve, të cilët, falë edhe agjentëve atmosferikë të padurueshëm, edhe për një popull të stër stërvitur si sovjetikët, e fituan luftën.

Duket se në atë kohë të vështirë finlandezët, të gjithë bashkë, arritën të gjenin një burim energjie që qëndronte i fjetur, i paprekur dhe i pashfrytëzuar brenda tyre, si  të kishin gjetur një minierë ari, apo diamanti; ishte aty, por askush nuk e kishte kërkuar dhe as vënë në përdorim.

Sisu ka pesë shtylla kryesore:

1-Këmbëngulja

2-Menaxhimi i stresit

3-Ndershmëria

4-Rezistenca

5-Vendosja e objektivave konkrete

Ky “ar i çmuar” që finlandezët gjetën brenda vetes dhe që askush nuk mund t’ua grabisë, shkelë, manipulojë, tashmë është fiksuar në kulturën e tyre si një vlerë e paçmuar. Ashtu si dhe çdo popull që gjen filozofinë e jetës së tij, ata tashmë e konsiderojnë një mesazh për t’u shpërndarë e një domosdoshmëri për t’u kultivuar e për ta përfituar.

Më të vjetrit tashmë ua transmetojnë më të rinjve dhe Sanna Marin është shembulli i kësaj kulture: e butë, por e vendosur, e re, por e matur, e sinqertë dhe guximtare, me atë ndershmërinë dhe pastërtinë që e shohim edhe mes shumë të rinjve shqiptarë, apo dhe të tjerëve bashkëatdhetarë, që, në një mënyrë apo në një tjetër, kanë bërë të tyren.

Eshtë e dukshme, e prekshme se shumë shqiptarë janë futur, pa bërë zhurmë, në këtë filozofi: finlandezët e quajnë sisu, ndërsa ne, presim ende t’i vendosim emrin, por që tek shumë vetë perceptohet dëshira dhe këmbëngulja, mosdorëzimi dhe etja e madhe për paqe dhe energji pozitive. Për veten dhe për vendin tonë të shumëvuajtur.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vuçiç: Sa të jem unë president, nuk do ta njoh kurrë Kosovën

Vuçiç: Sa të jem unë president, nuk do ta njoh kurrë Kosovën