Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko është në një vizitë pune në Kanada ku po zhvillon takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe zyrtare të qeverisë.
Fokusi i bisedimeve të zhvilluara mes Minstrit Pandeli Majko dhe drejtorit ekzekutiv të Këshillit të Bizneseve Kanadezo-Shqiptare Robert Baines, njëkohësisht president i NACO (Nato Association of Canada) është tërheqja e investimeve kanadeze.

Gjithashtu në këtë takim u diskutua edhe rëndësia e rolit të Këshilleve të Biznesit në krijimin e lidhjeve të qëndrueshme mes vendeve.

Ndërsa përmendi arritjet e diasporës shqiptare në Kanada, Baines tha se po punohej për orientimin e bizneseve shqiptaro-kanadeze drejt Shqipërisë.

Ministri Majko nga ana e tij e njohu zyrtarin me hapat e ndërmarrë në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës për të mundësuar një qasje më të efektshme ndaj të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
majko
(Ministri i Shtetit për Diasporën gjatë takimit në Kanada)

Në Hamilton, ministri Majko vizitoi edhe ambientet e biznesit të suksesshëm shqiptar Pro-Don Construction Inc, i specializuar në ndërtime druri. Si dhe sipërmarrjen e sukseshmë IBX Services” e drejtuar gjithashtu nga shqiptarë. Ministri vizitoi fabrikën e kompanisë që merret me restaurime pronash e që numëron rreth 200 punonjës. Majko vlerësoi arritjet e sipërmarrësve shqiptarë, të cilët siç tha me aftësitë e tyre kanë tejkaluar çdo barrierë, duke u kthyer në një aset të shoqërisë kanadeze dhe asaj shqiptare.

Gjithashtu gjatë takimit me përfaqësues të organizatës së themeluar nga shqipatrë “RH Scholarship” u diskutua mundësia e shkëmbimit të studentëve midis dy vendeve.

Roli i profesionistëve të suksesshëm në zhvillimin e Shqipërisë, ishte në qendër të diskutimeve në takimin që zhvilloi Majko me ‘Albanian Canadian Excellence Society’. Shoqata ku bëjnë pjesë profesionistë të rinj të suksesshëm, plotësisht të integruar në shoqërinë kanadeze

Ministri Majko dhe homologu i tij u shprehën të gatshëm për krijimin e kushteve që do të mundësojnë një shfrytëzim sa më të mirë të kapitalit social. Ata prezantuan arritjet dhe planet e dy qeverive për të krijuar një strukturë të fortë mbështetëse për diasporën dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi.


e.gj/Shqiptarja.com