Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur të premten në një takim ish-kryeministrin e Shqipërisë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Pandeli Majko. Ky i fundit tha se, ka pasur emocionin e veçantë t’i ripërsërisë kryeministrit të Kosovës, se së shpejti do të bëjë procedurat për të marrë shtetësinë e shtetit të Kosovës.
“Sot pata emocionin e veçantë t’i ripërsëris mikut tim, edhe kryeministrit të shtetit të Kosovës, që të më japë nderin dhe kënaqësinë, që shpejt do të bëjë procedurat për të marrë shtetësinë e shtetit të Kosovës. Ka shumë qytetarë të Kosovës, që duan të jenë shtetas të Shqipërisë, por mos harroni se ka edhe ca në krahun tjetër si puna ime, që këtë anë e konsiderojnë atdheun e tyre, popullin e tyre”, tha Majko.
MAJKO PER MARREVESHJEN
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Majko ka folur edhe për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Ai tha se është një moment jashtëzakonisht sfidues, por pa dyshim që ka një përkrahje të gjerë të të gjithë klasës politike. “...Është një moment jashtëzakonisht sfidues, por pa dyshim që ka një përkrahje të gjerë të të gjithë klasës politike... Në fakt, aktualisht sot që flasim, marrëveshja midis Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar është një hap cilësor, i cili ka pasur reflektim jo vetëm dhe thjesht në marrëdhëniet në mes të dy shteteve respektive, por edhe në të gjithë rajonin ka ofruar një cilësi të re, pasi marrëdhënia midis shqiptarëve dhe serbëve mbetet marrëdhënia më problematike sot në rajon... Kështu që, unë jam i prirur të shikoj me shumë vëmendje dhe me shumë optimizëm. Sigurisht, pa shmangur edhe atë pjesën e thartë, që ka çdo marrëveshje-negociatë, pasi në fund të fundit, negociata është negociatë dhe duhet të bësh kompromiset përkatëse.
Ndërkaq, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi u shpreh se e informoi Majkon për marrëveshjen e arritur në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shprehur falënderim për politikën e Tiranës për këtë qëndrim shumë korrekt dhe të vendosur për t’i shërbyer paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
“Në të njëjtën kohë e informova ish-kryeministrin Majko për periudhat kohore të implementimit të kësaj marrëveshje, por edhe për akterët që do të marrin pjesë në implementim, që do të jenë institucionet e Republikës së Kosovës, NATO, EULEX-i, me një mbështetje të plotë të Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe OSBE-ja me ftesën tonë, e cila do të përgatisë organizimin e zgjedhjeve të lira lokale në veri, që do të mbahen në pjesën e dytë të vjeshtës së këtij viti. Janë zgjedhjet e para të lira që do të organizohen në atë pjesë të Kosovës në këto 14 vite, sipas legjislacionit kosovar dhe ne ndamë opinionet e njëjta se implementimi është jetik për marrëveshjes dhe do të ketë reflektime pozitive për gjithë rajonin”, tha ai.
(sg/ma/shqiptarja.com)