TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko nga Korça ka vlerësuar vizitën e sekretares amerikane të shtetit Hilari Klinton, ndërkohë që mesazhet e saj i ka cilësuar në kontekstin e një mikeje të Shqipërisë.

Sipas deputetit Majko, mesazhi i sekretares amerikane ishte i qartë: respektoni veten, doni vendin tuaj më shumë se interesat politike dhe bëni zgjedhje të lira. Kjo gjë ka nënvizuar Majko realizohet duke filluar që nga 28 nëntori, ku ne duhet të respektojmë protokollin e shtetit Shqiptar.

Ndërsa është ndalur tek 100-vjetori i Pavarësisë së vendit, Majko ka theksuar gjithashtu se jashtë çdo konteksti politik, Partia Socialiste do të festojë në Vlorë, aty ku e do tradita.1000 vullnetarë nga rrethi i Korçës do të nisen drejt Vlorës ka nënvizuar më tej Majko.

“PS do të jetë në Vlorë më 28 Nëntor dhe atje do të vijnë edhe nga Korça. Unë do të respektoj dhe Protokollin e Shtetit, do të jem edhe në ceremoni në Pallatin e Brigadave” shtoi Majko.

Majko është ndalur njëkohësisht edhe tek bllokimi i qarkut të Fierit. Sipas tij, PS nuk ka vendosur asnjë kusht politik, por kërkon vetëm respektimin e vendimeve të gjykatës.

Ndërkohë në lidhje me zgjedhjet e 2013 si dhe zbatimin e reformave Majko ka deklaruar nga Korça se plotësimi i tyre, si dhe zgjedhjet e lira do i bënin mirë Kryeministrit si dhe atmosferës parazgjedhore në Shqipëri.

Këto deklarata deputeti i PS-së Pandeli Majko i bëri nga Korça, ku mori pjesë në asamblenë e rrethit.

(eç/shqiptarja.com)