Majko: Raporti i OSBE i ngjan
ngushëllimit “Të rroni vetë”

Majko: Raporti i OSBE i ngjan<br />ngushëllimit “Të rroni vetë”
TIRANE- Raporti i OSBE-së i ngjan një autopsie morgu për fushatën e ardhshme zgjedhore dhe merr të mirëqenë faktin se zgjedhjet e lira dhe të ndershme në këtë vend kanë “vdekur”.

Ky është qëndrimi që jep ish-kryeministri dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, në lidhje me parashikimet e ambasadorit Wollfarth mbi votimet e vitit të ardhshëm.

Në një prononcim për “Shqip”, Majko thekson se raporti i hartuar nga prezenca e OSBE-së, e drejtuar nga Eugen Wollfarth, është një nga më të ashprit që janë bërë nga ndërkombëtarët këto vitet e fundit.

Duke e quajtur gjuhën e përdorur në raport si të paprecedentë, Majko thekson se OSBE-së i ka mbetur vetëm të thotë që qeveria do të vijojë t’i manipulojë sërish zgjedhjet. “Ky raport i OSBE-së është një nga më të ashprit e ardhur pas 2005-s për Shqipërinë. Ai është një pamje e “absurdit” politik që pritet të përsëritë qeverisja aktuale për zgjedhjet e ardhshme. Trajtimi është kaq i ashpër, ku mungon vetëm fjalia që qeveria ka për të bërë atë që pritet të bëjë me zgjedhjet… manipulimin industrial të tyre. Me një gjuhë të pazakontë, raporti e konsideron “të pashmangshëm” historinë e apelimeve postzgjedhore. Ajo më e rënda vjen me fjalën e “përsëritjes” së zgjedhjeve(!), që për sistemin e ri elektoral që aplikon Shqipëria është për të ulëritur dhe jo bërtitur”, konstaton ish-kryeministri i vendit. Majko nuk lë mënjanë as ironinë kur thotë se ky raport i ngjan ngushëllimit mortor “të rroni vetë dhe ju ardhshim për të mira”. Sipas Majkos, raporti shikon si të mirëqenë faktin që kanë “vdekur” zgjedhjet e lira e të ndershme. “Më qartë nuk ka se çfarë të thuhet! Ajo që ‘mungon’ në raport është kujdesi diplomatik për ta rrumbullakosur deri diku situatën politike dhe administrimin e zgjedhjeve. Ka paragrafë të tij që janë ‘dinjitozë’ për regjime qeveritare, ku votimi është formalitet… Titulli i pjesës së fundit me titullin ‘Rruga përpara’ ka tiparet e humorit anglez, pasi vetëm ‘rrugë’ nuk është. Do ia vlente të quhej ‘Moçali që ju pret’”, vijon Majko konstatimin e tij për parashikimin e zymtë që jep OSBE-ja për zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit të ardhshëm. Por Majko nuk ngurron ta lidhë këtë raport me atë që e quan “krizë e demokracisë në Shqipëri”. Sipas tij, faktori ndërkombëtar tashmë po fillon ta zyrtarizojë këtë situatë të re dhe të rrezikshme ku po ndodhet Shqipëria. “Një raport i tillë është vetëm fillimi i zyrtarizimit të një qëndrimi ndërkombëtar ndaj situatës së krizës së demokracisë në Shqipëri. ‘Letrat’ e natyrave të tilla si raporti në fjalë, janë veç ‘bubullima’ paraprake e furtunës që pritet të fillojë për atë që deri dje heshtej…”, parashikon ish-kryeministri i vendit, nisur nga gjuha dhe konstatimet që bën raporti i OSBE-së për procesin zgjedhor.

Por, nga ana tjetër, Majko nuk lë pa paralajmëruar edhe Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, se si një politikan i vjetër duhet ta dijë shumë mirë se çfarë sjell një situatë e tillë. “Lojtari i vjetër në krye të qeverisë i di rregullat dhe paralelet që ndjell një situatë e tillë për të dhe qeverisjen e tij. Unë po e quaj atë shkurt numërim mbrapsht!”, thekson Majko. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare shikohen si tepër të rëndësishme nga dy partitë e mëdha në vend. Kjo, për faktin se PD-ja po e qeveris vendin për dy mandate dhe zgjedhjet e qershorit konsiderohen tepër të rëndësishme për sa i përket nevojës së opozitës për të pasur rotacion politik në vend.

REAGON DHE SKENDER MINXHOZI

Çdo proces zgjedhor në Shqipëri, pas vitit 1996, e ka pasur mbi vete hijen e rëndë të atyre zgjedhjeve. Kjo, sepse votimet e përgjithshme të 26 majit 1996, janë të vetmet në historinë e pluralizmit shqiptar, që janë kontestuar zyrtarisht nga europianët dhe amerikanët. Kjo është e vërteta historike. Sa u përket zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, raporti i OSBE-së tregohet realist kur parasheh një fushatë të egër dhe një proces të vështirë retifikimi të rezultatit. Berisha dhe Rama garojnë për një poltron të vetëm. Është me shumë gjasë gara e fundit për njërin prej tyre, e kjo i bën veçanërisht tinëzare zgjedhjet e ardhshme.

REAGON MUSTAFA NANO
Për të bërë parashikimin se “zgjedhjet shqiptare të radhës do të jenë të egra”, do të mjaftonte inteligjenca e një fëmije. Është si “të parashikosh” se nesër gazetat do të dalin në treg. Mirëpo ndryshon puna me parashikimin tjetër, se “do të ketë përsëritje zgjedhjesh në një numër qendrash e zonash elektorale”. Në këtë pikë do të isha shumë kureshtar për të marrë vesh se cilat janë të dhënat që i kanë çuar në këtë hamendje. Në mos të dhënat, të paktën deduksionet e akrobacitë mentale që kanë shtënë në punë në këtë rast.
Shkrimi u publikua sot ne gazeten "Shqip" 21 shtator 2012
(
sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh