Një makinë “Audi” me targa angleze doli nga rruga pas mesnatës dhe ra në përroin e fshatit Dars në Klos. Në të udhëtonin 2 persona nga fshati Fullqet, shoferi Andi Losha, 24 vjeç, i cili mundi të dalë nga makina dhe të mbijetojë. Pasagjeri Jurgen Karaj, 30 vjeç, dyshohet se e ka marrë rrjedha e ujit. Burimet thanë se ai është i dobët dhe i sëmurë dhe mendohet se nuk ka mundur të dalë nga uji.

Fillimisht, pasi policia mbërriti në vendin e ngjarjes nuk gjeti askënd, duke dyshuar se rrjedha mund të ketë marrë të gjithë personat që ishin në makinë, por pas hetimeve u zbulua se 24-vjeçari Andi Losha, kishte dalë nga uji dhe pa njoftuar policinë ishte larguar duke lënë në mes të ujit mikun e tij Jurgen Karaj. Ky veprim i kushtoi lirinë të riut, pasi u arrestua. Rezulton se ai drejtonte makinën në gjendje të dehur.

"Rreth orës 01:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës.

Nga veprimet e shpejta të kryera nga shërbimet e Policisë u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos. Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin A. L., 24 vjeç, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja. Ky shtetas iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur", njoftoi Policia. 

Në vendin e ngjarjes mbërritën polombarë të forcave RENEA dhe të shërbimit zjarrfikës, të cilët janë në kërkim të trupit të 30-vjeçarit, i cili dyshohet të jetë spostuar nga rrjedha e ujit për shkak të prurjeve të mëdha prej shirave të fundit.

Pasagjeri Jurgen Karaj