Në Liqenin e Shkopetit janë gjetur sot dy automjete, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se është përdorur nga grabitësit e aeroportit "Nënë Tereza" mesditën e 30 Qershorit. Automjeti tjetër i nxjerrë tashmë nga ujërat e Liqenit, është makinë tip Benz me targa suedeze. 
 
Automjeti u lokalizua sot në ujërat e liqenit, pasi një peshkatar i zonës njoftoi Policinë se ka parë gjurmë të freskëta të gomave të makinës në afërsi të liqenit.

Autorët e grabitjes së rreth 1 milionë euro në aeroportin e Rinasit fillimisht dogjën mjetin pranë vendit të quajtur Ura e Tapizës, me të cilin kryen grabitjen në brendësi të aeroportit, ndërsa nga aty dyshohet se udhëtuan me një automjet tjetër. Kjo dinamikë e ngjarjes ka detyruar policinë të dyshojë se automjeti i hedhur në liqenin e Shkopetit, është përdorur nga grabitësit. 
 
Në afërsi të bregut është gjetur një pjesë e parafangos, parakolpi si dhe targa e mjetit në fjalë. Targa e automjetit është AA 969 ND, e cila dyshohet se është grabitur në qytetin e Lushnjes, pasi automjeti tip Benz rezulton në pronësi të M.P nga Karbunara Lushnjë. Ky i fundit ka denoncuar vjedhjen e targave në Janar 2016 dhe jo automjetin.

Polumbarët gjatë zhytjeve të kryera kanë konstatuar në thellësinë 18 metra dhe në thellësinë 25 metra dy automjete. Me ndihmën e një mjeti të rëndë vinç, polumbarët dhe forcat e policisë të Komisariatit të Policisë Mat, kanë bërë të mundur nxjerrjen në anë të liqenit të njërit prej automjeteve të konstatuara, konkretisht automjetin autovetruë tip Benz me targa FFV 562, (Suedeze).

Nga këqyrja paraprake, shenjat e konstatuara si, "llumi mbi sipërfaqet e lëmuara të mjetit" rezulton se ky mjet ka kohë që ndodhej brenda në liqen. Gjithashtu po nga këqyrja paraprake rezultoi se në automjet nuk kishte asnjë viktimë. Ndërsa makina me targa Lushnje që dyshohet se u përdor nga grabitësit e Rinasit, ndodhet ende në ujërat e Liqenit të Shkopetit. 

liqeni i shkopetit makina
liqeni i shkopetit makinat
liqeni i shkopetit makina
liqeni i shkopetit makina

Aktualisht polumbarët kanë ndërprerë kërkimet, për të rifilluar në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë, me qëllim nxjerrjen e automjetit që ka rënë gjatë natës në liqen. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com