Një automjet tip “Volksëagen Touran” ka marrë flakë në lëvizje në aksin Kardhiq–Delvinë, në vendin e quajtur “Skërficë”. Si pasojë, drejtuesi 37-vjeçar, Maridon Dhuli, ka pësuar djegie të shkallës së tretë.

Në ato momente kanë ndërhyrë kalimtarë të rastit, mes tyre edhe Sokol Ahmetaj nga Saranda, i cili po kthehej nga Tirana. Duke parë 37-vjeçarin të përfshirë nga flakët, Ahmetaj ka vepruar menjëherë, duke përdorur xhupin e tij për të shuar zjarrin në trupin e të dëmtuarit.

Ndërhyrja e qytetarit nga Saranda ka qenë vendimtare për t'i ardhur në ndihmë të plagosurit në momentet e para të ngjarjes. Ai ka njoftuar gjithashtu shërbimet e urgjencës dhe Policinë Rrugore.

Pas ndihmës së parë në urgjencën e Sarandës, 37-vjeçari është transportuar me ambulancë drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Gjendja e tij shëndetësore mbetet shqetësuese. Për shuarjen e zjarrit në automjet ndërhyri zjarrfikësja, ndërsa policia po heton për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.