BERAT- Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Berat. 46-vjeçari Ramadan Gjozi ka përplasur për vdekje 4-vjeçarin Gurim Oshafi. Mësohet se 4-vjeçari Gurim Oshafi ka qenë në makinë me xhaxhain e tij dhe ky i fundit ka parkuar në anë të rrugës për të blerë diçka në një market. Fëmija, pasi ka parë xhaxhain që ka dalë, ka hapur derën dhe ka kaluar me shpejtësi rrugën, kur edhe është përplasur e marrë zvarrë disa metra nga një automjet, tip Audi, me ngjyrë të zezë.
Pas përplasjes, fëmija ka gjetur vdekjen e menjëhershme në vend dhe është transportuar me ambulancë drejt Morgut të Spitalit Rajonal Berat. Drejtuesi i mjetit, 46-vjeçari Ramadan Gjozi, është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, ku po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Efektivë të Policisë Rrugore, kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Dëshmitarët në vendngjarje kanë deklaruar se, kanë dëgjuar një zhurmë të fortë e disa ulërima dhe kur kanë dalë jashtë kanë parë fëmijën të shtrirë në tokë dhe të mbuluar nga gjaku.
Report Tv ka siguruar pamjet e aksidentit tragjik të ndodhur pasditen e sotme në Berat, ku 46-vjeçari Ramadan Gjozi ka përplasur për vdekje 4-vjeçarin Gurim Oshafi.
Në pamje duket që i mituri është përplasur dhe është marrë disa metra zvarrë nga makina e cila më pas ka ndaluar.