VLORE - Pas Elbasanit, policia ka shtrirë edhe në Vlorë aksionin për kontrollin dhe sekuestrimin e makinave luksoze, për të cilat nuk justifikohet burimi i të ardhurave.

Ky operacion është kryer nga forcat RENEA dhe "Delta Force". 

Gjatë këtij aksioni, Policia ka ushtruar kontrolle edhe për personat e shpallur në kërkim për disa ngjarje të rënda kriminale në qytetin bregdetar. 

Qyteti i Vlorës njihet për prezencën e elementëve të cilët janë identifikuar si pjesë e kontigjenteve kriminale kryesisht të trafikut të drogës. 

Gjatë këtij operacioni është sekuestruar një automjet, një armë zjarri pistoletë, vlera monetare prej 6000 Euro dhe aparate celularë, ndërsa u arrestua dhe një 26-vjeçar.

Në prangat e policisë ka rënë Ydai Hoxhaj, banues në Vlorë. Policia bën të ditur se gjatë kontrollit të automjetit të ndaluarit iu konstatua disa gram lëndë narkotike Cannabis Sativa, gjithashtu gjatë kontrrollit të ushtruar në banesën (me qira) që posedohet prej tij iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri tip pistoletë, një shumë vlerash monetare prej 6000 euro si edhe disa aparate të ndryshme celular, të cilat u sekuestruan nga policia në cilësinë e provës materiale sëbashku me automjetin.

Aksioni masiv në të gjithë vendin
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA po vijojnë prej disa ditësh në të gjithë vendin aksionin për kontrollin dhe bllokimin e automjeteve luksoze që dyshohet se janë siguruar nga të ardhura me veprimtari kriminale.  

Ky operacion konsiston në kontrollin, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale si dhe pjesëtarë të grupeve kriminale.

Përgjatë tre ditëve RENEA ndërmori disa operacione në qytetin e Elbasanit ku u sekuestruan automjete luksoze si dhe u shoqëruan në polici disa persona të shpallur në kërkim.

Gjatë këtij aksioni u përplas nga një "Audi" i blinduar edhe një prej automjeteve të policisë ku udhëtonte zv/drejtori i policisë Gjergji Oshafi. Për këtë ngjarje policia ka shpallur në kërkim Suel Çelën, djalin e biznesmenit të njohur Petrit Çela.

[gallery]23983[/gallery]