Maksimumi i …pamjaftueshëm

Maksimumi i …pamjaftueshëm
Sekretarja e Shtetit i dha vizitës së saj të shkurtër në Tiranë përmasën e një ngjarjeje të madhe, amerikane patjetër, por, na lejohet të themi, edhe klintoniane, duke pasur parasysh këtu kontributin madhështor të ish Presidentit Klinton, bashkëshortit të saj, për mbrojtjen e Shqipërisë në vitet e errëta 1997-1998 dhe për çlirimin e Kosovës nga okupimi i gjatë serb një vit më vonë. Nuk do ta harrojmë çastin kur Bill Klinton krijoi klubin e Miqve të Shqipërisë dhe shoi me këtë shpallje çdo lloj skenari ogurzi për ta futur apo mbajtur ketë vend në ngatërresat e shpërbërjes. Nuk do të harrojmë kurrë orën kur mori vendimin historik për të ndaluar me forcën e avionëve të NATO-s genocidin dhe spastrimin etnik të popullit shqiptar të Kosovës nga regjimi serb i Millosheviçit. Dhe nuk mund të harrojmë si shkoi përpara deri në fund ky President, duke parë në stuhinë e intrigave të panumërta të kohës me qartësinë e kulluar të historisë dhe së vërtetës. E gjithë kjo tani është histori.

Që nuk mund të përsëritet as si e tillë, as në ngjashmëri me të. Por kur analizon vizitën katër oreshe në Tiranë të zonjës Klinton, vizitë “e vogël” sigurisht në krahasim me historinë e madhe që treguan telegrafikisht pak më sipër, gjen gjithsesi një si predestinim amerikano-klintonian për të bërë shumë për ne, për të shkuar përtej korrnizave, për të kërkuar përgjigje sa më adekuate me realitetin tonë. Sekretarja e Shtetit nënvizoi me përparësi tre mesazhe kyçe për aktualitetin dhe ardhmërinë e demokracisë shqiptare: mesazhin e zgjedhjeve të lira, mesazhin e luftës kundër korrupsionit, mesazhin e bashkëpunimit për të mirën e përbashkët. Ajo zhvilloi një takim të veçantë me shefin e opozitës, çfarë nuk është zakon dhe nuk e ka bërë në asnjë vend tjetër të Ballkanit në turet e saj. Ftoj në Kuvendin e Shqipërisë, në ulëset e destinuara për palën amerikane, figura që kompletonin spektrin politik dhe institucional të vendit, duke korrigjuar me këtë rast gjymtimet tendencioze të spektrit nga qeveria. Publikoi fjalën e saj para stafit të ambasadës amerikane, çfarë nuk ndodh zakonisht.

Dhe nuk ka nevojë të jesh shumë i zgjuar për të kuptuar psenë. Në atë fjalë para të vetëve, sekretarja e theksoi më fort problemin e zgjedhjeve të vitit 2013 në Shqipëri. I bëri të gjitha këto gjëra të pazakonta për të mbyllur çdo hapësirë të keqpërdorimit të vizitës së saj, pasi ishte shumë e informuar për ketë zakon të shëmtuar të liderëve provincialë shqiptarë. I bëri për të theksuar, bashkë më ekuidistancën ndaj palëve, edhe problemet e problemeve dhe kryeproblemin: zgjedhjet.

Të marrësh e ta analizosh këtë vizitë me parametrat klasikë nuk mund të mos arrish në përfundimi se ky është maksimumi i ndihmës për një vend që nuk ka gjetur ende paqen e zgjedhjeve të lira dhe sigurinë e sundimit normal të ligjit. Falenderimet janë me shumë se një shprehje edukate dhe mirënjohjeje. Mund ta lëmë me kaq shprehjen e vlerësimit tonë për ketë vizitë historike, por kam frikë se nuk do të ishim realistë deri në fund. Entuziazmi, sado i përligjur të duket, vazhdon të ketë një kundërshtar të fortë në këtë vend: zakonin e qeverisë dhe kryeministrit Berisha për të qëmtuar deri me lupë nga uniteti organik i mesazheve dhe gjesteve të miqve dhe partnerëve të huaj diçka të njëanshme që i duket e leverdishme për vete, duke injoruar të tjerat. Sinjali është dhënë qartë në fokusimin e kryeminsitrit dhe zëdhënësve të tij te një pikë e mesazheve që dha zonjë Klinton, ai i bashkëpunimit. Është e mrekullueshme nga një anë që Berisha, pikërisht ai që ka namin e merituar të kampionit të mosbashkëpunimit, po flet kaq shumë për bashkëpunimin pas vizitës së zonjë Klinton. Por nga ana tjetër tendencioziteti dhe hipokrizia duket sheshit. Nuk ka ngecur asgjë në këtë vend këto dy-tre vjetët e fundit ngaqë nuk ka dashur opozita. Përkundrazi. Lë të kujtojmë historinë e famshme të transparencës së zgjedhjeve. Opozita i bëri të gjitha lëshimet për të mbërritur të kompromisi që propozoi Brukseli, por Berisha u përgjigj me djegien e fletëve dhe arshivimin e materialeve duke sfiduar deri Rezolutën e Parlamentit Europian të korrikut 2010.

Opozita, edhe pse e vrarë me 21 janar, pranoi kushtet e zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011, por qeveria dhe kryeministrit u përgjigjen me shkeljet e listuara në raportin përfundimtar të ODHIR-it, raport i cili i ka përshkruar veprimet e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor me morfologjinë e përshkrimit të veprimeve të një bande. Agjenda europiane e Shqipërisë nuk mund të kishte asnjë shans në vitin 2010 me një qeveri që sfidon brutalisht një rrezolutë të Parlementit Europian dhe asnjë shans gjithashtu në vitin 2011 me një qeveri që vret demonstrues të pafajshëm dhe manipulon zgjedhje. Opozita, megjithatë, përqafoi në vjeshtën e vitit 2011 kursin e ri të bashkëpunimit, ja këtë që artikuloi në Tiranë këto ditë zonja Klinton. Qeveria u përgjigj me zgjedhjen e një Presidenti nga kupola politike e PD-së dhe me emërimin në detyrën e zevendëministrit të brëndshëm të personit që drejtoi zgjedhjet e damkosura nga ODHIR-i , pra të Arben Ristanit.

Me vizionin e saj europianist, opozita i ka përmbushur detyrimet e BE-së për Shqipërinë dhe nuk ka dyshim se do t’i përmbushë në kohë edhe detyrimet e mbetura, por çështja e statusit do të mbetet pezull ose me bisht pikërisht për shkak të zgjedhjeve dhe korrupsionit. Precedentët, qoftë edhe këto që permenda, na tregojnë qartë se qeveria e Tiranës nuk e ka problem të sfidojë në momentin e duhur çdo mesazh ndërkombëtar që nuk i vjen për shtat, ngado që të vijë. Ky është një problem i madh komunikimit të ndërkombëtarëve me këtë qeveri dhe këtë kryeministër. E kemi nënvizuar sa e sa herë se e folura e rrumbullakosur me qeverinë e Tiranës është të harxhosh frymën kot. E folura hapur ka efekte positive. Edhe kur injorohet nga qeveria, sëpaku ndërgjegjësohet publiku.

Fakti që Berisha nuk po thotë asnjë për mesazhin e rëndë të korrupsionit, që është një mesazh i drejtpërdrejtë për qeverinë, tregon qartë se ai nuk ka një qasje të re ndaj mesazheve unike të Sekretares se Shtetit. Përtej retorikës për bashkëpunimin dhe proamerikanizmin, ai do të përpiqet t’i rrumbullakosë, ambalazhojë, zvogëlojë e sfumojë të dy mesazhet impenjative me përmbajtje kritike për qeverinë e tij: atë të zgjedhjeve dhe anti-korrupsionit.

Në këtë përpjekje meskine qeveritarët e këtushëm e kanë zakon të llogarisin edhe zhvillimet në SHBA, agjendat e politikanëve atje. Do të llogarisin faktin se zonja Klinton nuk do të jetë më sekretare e shtetit, edhe në skenarin e fitores së Obamës. Përshtypja që kanë krijuar ambasadorët e ndryshëm amerikanë në Shqipëri është se amerikanët që janë marrë e merren me Shqipërinë ia fillojnë nga e para. Vjen një ambasador dhe nuk do t’ja dijë fare ku e ka lenë paraardhësi i tij . Vjen një sekretar shteti apo një President i ri dhe marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë , për aq vend sa zë Shqipëria në agjendën e tyre, rifillojnë në pikën e deklarimit të marrëdhënieve që janë vërtetë kurdoherë të shkëlqyera, por duke injoruar përkohësisht problematikën e funksionimit të demokracisë në Shqipëri. Derisa i prekin dhe djegin duart e tyre me këto probleme. Politika meskine dhe dinake Tiranës e shfrytëzon sistematik këtë boshllëk për të kaluar pa koston e merituar korrupsionin galopant, prishjen e zgjedhjeve, vrasjen e protestuesve si ata të 21 janarit, e tjerë. Nuk kam asnjë arsye të mendoj se këta politikanë dinakë e meskinë nuk do të tundohen të manipulojnë sa të mundin zgjedhjet e ardhshme duke shkuar me mendimin se zonja Klinton nuk do të jetë më në në postin e saj dhe sekretari i ri nuk do të ketë hyrë ende në të thella për mungesë kohe.

Vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë në Shqipëri i kanë paraprirë gjithnjë një ngjarjeje të madhe dhe një ndryshimi të rëndësishëm për Shqipërinë dhe Kosovën. Ndjesia është se kështu do të ndodhë edhe me vizitën e zonjës Klinton. Ajo, siç e shënuan në fillim, shkoj përtej pritshmërisë, bëri maksimumin. Por do të ishte gabim të flemë mbi dafina sikurse nuk është realiste të mos e themi se mesazhet dhe gjestet e mrekullueshme politike të zonjës Klinton në Tiranë nuk mjaftojnë megjithatë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme vitin e ardhshëm. Përpara kemi me shumë punë se muaj.

(Gre.M/Shqiptajra.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kryemadhi: Jam fajtore për djegien e mandateve! Më kërkohet ‘vrasja politike’ e Bashës, por s’e konsideroj

Kryemadhi: Jam fajtore për djegien e mandateve! Më kërkohet ‘vrasja politike’ e Bashës, por s’e konsideroj