TIRANE - Ish-deputeti socialist, Arben Malaj theksoi dje se të gjithë duhet të jenë të përgjegjshëm për domosdoshmërinë e rotacionit pas zgjedhjeve. Sipas kandidatit si i pavaruar në Qarkun e Vlorës, Malaj tha se mandati i tij do të radhitej me atë të opozitës.

“Keq qeverisja Berisha duhet të ndalet sa më parë. Çdo i ri duhet të jetë një bletë punëtore në këto zgjedhje. Mazhoranca e re duhet të jetë sa më e plotë dhe efektive. Të gjithë duhet të përkushtohemi për fitoren e zgjedhjeve.

Të gjithë duhet të jemi të përgjegjshëm për domosdoshmërinë e rotacionit, eleminimin e ngërçeve dhe krizave gjatë dhe pas zgjedhjeve. Integrimi Europian duhet të rifitoj prioritetin që meriton. Secili me votë mund të japë një kontribut konkret për ndryshimin.

Duke fituar edhe si kandidat i pavarur unë do të sjell në Kuvendin e ardhshëm një mandat më shumë për opozitën e vendit tim”, tha Malaj dje. Ndërkohë që ai nuk ka kursyer ditë më parë edhe kritikat ndaj socialistëve duke iu rikujtuar dhe një herë se “lufta duhet të zhvillohet për të rrëzuar Berishën dhe luftë brenda së majtës për PS”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 15.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)