VLORE- Shpërthimi i eksplozivit në derën e banesës së kryetarit të Partisë Demokratike në Vlorë, njëkohësisht edhe kandidatit të katërt të kësaj force politike në këtë Qark, Ardian Kollozit, ka ngjallur reagime të shumë figurave politike në vend, dhe jo vetëm.
 
Arben Malaj, thotë se ky është një akt i dënueshëm, dhe shprehet se fushata në Vlorë duhet të jetë pozitive.
 
“Dënoj ashpër çdo akt të dhunshëm ndaj çdo kandidati për deputet, si dhe dënoj atë çka i ndodhi z. Kollozi, pavarësisht shkaqeve dhe arsyeve që në asnjë rast nuk mund të justifikojnë akte dhune. Vlora, e para duhet të prijë me një nismë që bashkon të 67-të subjektet kandidate në një fushatë pozitive që respekton një kod etik dhe të civilizuar konkurrimi. Fushata nuk duhet të dominohet nga gjuha e urrejtjes, frika dhe tensioni i panevojshëm”, tha Malaj.
 
Duke iu drejtuar qytetarëve të Vlorës, Malaj tha se “ky qytet duhet të jetë modeli fushatës transparente dhe jo i dhunës të çfarëdolloj rrethane”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)