Një gjerman është vënë në pranga në Malësinë e Madhe pasi i kishte hedhur benzinë makinës të një 27-vjeçari.

Ky i fundit e ka konstatuar këtë ndërsa udhëtonte nga Hani i Hotit drejt Shkodrës. Menjëherë njoftoi policinë që ndaloi makinën e gjermanit 47-vjeçar në Pjetroshan.

Ai ka refuzuar identifikimin dhe ka goditur me thikë dy punonjës policie që ndodhen në spital.  Fatmirësisht, ka mundur vetëm t’i gërvishtë. Sipas burimeve, gjermani, një turist, ishte nën efektin e drogës.

 Policia e ka arrestuar 47-vjeçarin gjerman dhe vijon puna për zbardhjen e ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Malësi e Madhe/Informacion paraprak

Rreth orës 17:30, në sallën operative të DVP Shkodër, ka njoftuar shtetasi A. Q., 27 vjeç, se gjatë udhëtimit me automjetin e tij, nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër dyshohet se i kishte hedhur benzinë mbi automjet, në afërsi të një pike karburanti pranë pikës së kalimit kufitar

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë ndaluar automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan.

Drejtuesi i këtij automjeti, shtetasi gjerman J. K., 47 vjeç, ka refuzuar të identifikohet dhe, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij, ka goditur me mjet prerës (thikë) dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme, inspektorët S. B. dhe I. S., të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë kanë neutralizuar dhe shoqëruar 47-vjeçarin në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë