Ministrja tregoi se edhe pse Gjovalin Veshtaj kishte dalë i pari në bazë të rezultateve, ndërsa vendin e punës e kishte zënë i dyti në listë. Pas këtij veprimi Veshtaj i ishte drejtuar vetë ministres për të denoncuar rastin në portalin Shqipëriaqëduam.al.
“Ka aplikuar në portalin mësues për Shqipërinë, doli i pari në portal, por fatkeqësisht fitoi i dyti. Bëhet fjalë për Gjovalin Veshtaj, anëtar i PD që nga vitit 1992, ish-kryetar i komunës Kastrat, i papunë që nga viti 2013. Ka aplikuar në portalin mësues për Shqipërinë dhe ka dalë i pari në degën e Gjeografisë. Në punë ka hyrë padrejtësisht i dyti i portalit. Ju informoj se prej ditës së djeshme qytetari që nuk heshti por ngriti zërin e tij duke përcjellë ankesën drejt e tek unë përmes platformës Shqipëriaqëduam.al. e raportoi problemin tek unë, e fitoi të drejtën dhe filloi punë”, tha Ministrja.
Nikolla tha se ka shkarkuar drejtuesit e Arsimit në Malësinë e Madhe si dhe ka kërkuar gjetjen e përgjegjësve të këtij skandali. "Kam kërkuar fillimin e procedurës së menjëhershme për gjetjen e përgjegjësve dhe shkarkimin e drejtuesve të arsimit, zyrës Arsimore Malësi e Madhe për abuzim me detyrën dhe cenim të së drejtës së qytetarit. Mjafton një mesazh për të shmangur kërkesën për rryshfet në një zyrë shteti, duke marrë të drejtën e mohuar dhe ndihmuar në pastrimin e zyrave të shtetit nga grabitqarët, përmes shqiperiaqeduam.al. Mjafton një mesazh për t’u bërë pjesë e koalcionit të madh të njerëzve të zakonshëm për Shqipërinë që duam, duke i dhënë fuqinë qeverisëse zërit të shpresave e të nevojave tuaja. S’të kushton asgjë dhe mund të bësh shumë për veten e për vendin tonë përmes shqiperiaqeduam.al", tha Nikolla.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

VIDEO











