VLORË-Pas 4 ditësh betejë me zjarrin në Malin e Çikës, kanë mbërritur 2 avionë Canadair nga Greqia dhe kanë nisur punën për shuarjen e flakëve. Prefekti Flamur Mamaj bëri me dije më parë se ishin në pritje të përgjigjes pasi kishin nisur negociatat me shtetin fqinj për të sjellë avionë në mënyrë që të bëhej ndërhyrja nga ajri.

Zjarri i rënë në “Palikonjë” në Malin e Çikës vijon të jetë aktiv prej katër ditësh dhe sot nisi operacioni për shuarjen e flakëve, me angazhimin e forcave të ushtrisë dhe zjarrfikësve lokalë. Ndërhyrja me këmbë ishte e vështirë të bëhej për shkak se vatrat e zjarrit ishin në humnerë dhe përbën rrezik për jetën e zjarrfikësve. Për këtë arsye nisën negociatat për ndihmë nga Greqia dhe brenda pak orësh erdhën dy avionë 'Canadair' nga Selaniku.

Deri tani janë djegur 70 hektarë. Vendi ynë nuk ka helikopter për shuarjen e flakëve nga ajri, pasi janë në servis, e për rrjedhojë presim ndihma nga një vend europian. Edhe në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanit morëm ndihmë nga Greqia për shuarjen e flakëve.

"Situata është relativisht e qetë sot dhe pas ndërhyrjeve që kemi bërë si shtab i emergjencave në bashkëpunim me strukturat e tjera, jemi në terren, një vatër zjarri që është në disa  gropa janë angazhuar rreth 40 FA, kanë ngelur një vatër zjarri që është në një terren shumë të thepisur, që është i pamenaxhueshëm, jemi në kontakt me Agjencinë e Mbrojtjes civile që na konfirmon se do vij një helikopter që do eliminojë vatrën. Nuk ka asnjë rrezik, përveç tymit, zjarri ka qenë në gropë, nuk është rrezik për banesën apo për pushuesit, zjarri është në gropë dhe nuk ka dalë nga ajo gropë.  Zjarri do fiket brenda ditës së sotme. Zjarri ndodhet në lartësi 1100 metra dhe në një terren të tillë që është i thepisur, digjet vetëm barishte, nuk ka zonë pyjore dhe kjo duket, deri tani janë rreth 70 ha që janë përshkruar nga zjarri, 20% me shkurre dhe një pjesë me bredh që është përshkruar nga zjarri, por ka krijuar probleme. Në kuadër e bashkëpunimit me partnerët europian, presim helikoperin", tha prefekti Flamur Mamaj. 

Ndërkohë tymi i zjarrit në malin e Çikës u përhap fshatin bregdetar të Dhërmiut, duke krijuar probleme për pushuesit. Disa prej tyre mësohet se janë larguar mbrëmjen e së mërkurës. Nga ana tjetër, një zjarr tjetër i regjistruar në zonën e Vlorës ka qenë në fshatin Delisuf. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:16
Momenti kur avioni Canadair hedh ujë për shuarjen e flakëve në malin e Çikës (VIDEO)

Report Tv ka siguruar momentin kur një nga avionët Canadair që ka ardhur nga Selaniku, hedh ujë për të shuar flakët në malin e Çikës dhe largohet për tu furnizuar sërish me ujë.

Ora 17:41
Beteja prej 4 ditësh me flakët në malin e Çikës, mbërrijnë 2 avionë nga Selaniku për shuarjen e zjarrit

1657813472_b73a0958dd4d4941b08da22e0a16e9d8.jpg

Dy avionë Canadair kanë mbërritur nga Selaniku për të shuar zjarrin në malin e Cikës që prej 4 ditësh është në betejë me flakët. Atje është e pamundur që të shkojnë forcat zjarrfikëse për shkak të terrenit të vështirë.

Ora 12:58
Nuk ndalen flakët në Vlorë, merr zjarr një sipërfaqe e fshatit Delisuf! Në vendngjarje efektivë e zjarrfikës (VIDEO)

 

Po vijojnë zjarret në qytetin e Vlorës. Së fundmi është raportuar për një zjarr në fshatin Delisuf. Në vendngjarje ndodhen 4 efektivë, mjete zjarrfikëse me 8 ton ujë.