TIRANE, 9 Shkurt/ATSH/- Tregu turistik shqiptar po ndeshet me konkurencën e fqinjëve, që ofrojnë çmime më të ulta.
Agjencia Kombëtare Turistike e Malit të Zi, në bashkëpunim me Ambasadën e Malit të Zi, organizuan të hënën në Tiranë një takim promocional të ofertës turistike dimërore në Mal të Zi, nën moton "Të ikim në borë".
Ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, Ferhat Dinosha u shpreh se Mali i Zi do të ofrojë paketa të lira turistike për qytetarët shqiptarë. "Reshjet e borës në Mal të Zi janë të mëdha dhe zgjasin deri në fundin e marsit dhe kjo është një mundësi e mirë për të gjithë ata turistë që duan turizmin dimëror", tha Dinosha.
Mali i Zi po kthehet çdo vit e më tepër në një destinacion turistik të preferuar për shumë shqiptarë, si gjatë sezonit veror, ashtu edhe atij dimëror.
Ofertat joshëse, me çmime konkurruese, infrastrukturë më moderne në sektorin hotelieri, por edhe shërbimi cilësor, kane bërë që shqiptarët të preferojnë zonat turistike të Malit të Zi.
Vitin qe shkoi, Malin e Zi e vizituan mbi 30 mijë turistë nga Shqipëria, ose me një rritje prej 16 % në krahasim me vitin 2013./a.gjonaj//a.ke/