Shefi i shërbimit të zjarrfikëses së Maliqit, Sadik Halili, tregon se njoftimi për zjarrin e rënë në banesën e familjen Hazisllari në Maliq, është marrë në mesditë rreth orës 13:30. Distanca nga banesa e djegur ka qenë shumë afër dhe ato kanë mbërritur menjëherë, ndërkohë zjarri ishte shuar.
Sadik Halili tregon se vajza dhe djali janë gjetur jashtë. Ky i fundit i pavetëdijshëm. Deri më tani nga hetimet, janë dy pista nga ku dyshohet të ketë nisur zjarri, nga soba e drurit që ndodhej në kuzhinë si dhe disa fije shkrepëse që janë gjetur të ndezura. Halili ende nuk e përcakton saktësisht versionin e saktë.
“Njoftimin e kemi marrë rreth orës 13.30 të datës 19 tetor, nga salla operative e policisë. Menjëherë kemi arritur në vendin e ngjarjes për 1 minutë pasi distanca është e afërt. Kur kemi mbëritur në vendin e ngjarjes zjarr nuk ka pasur brenda në banesë dhe të dy fëmijët edhe djalin edhe vajzën i kemi gjetur përjashta. Djali ka qenë i pavetëdijshëm kurse vajza e vetëdijshme dhe tek dera e kuzhinës kemi gjetur të asfiksuar nënën e tyre e cila kishte ndëruar jetë. Njoftuam ambulancën, ju dhamë ndihmën e parë i dërguam në spitalin e Korçës. Për këtë ngjarje është ngritir grupi hetimor pjesë e të cilit jam edhe unë për të gjetur shkakun e zjarrit. Për momentin kemi dy versione: brenda në kuzhinë ka qenë soba me dru zjarri e ndezur ndërsa poshtë në dysheme kemi gjetur disa fije shkrepse të ndezura. Nuk mund të themi ende pistën përfundimtare”, tha Sadik Halili shefi i shërbimit zjarrfikës Maliq.
Kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu tregon se të gjithë shpenzimet e funeralit dhe jo vetëm, do të mbulohen nga bashkia. Topçiu tha se një bashkëpunim ka nisur dhe me biznese të ndryshme për të mbledhur sa më shumë të ardhura për të ndihmuar familjes Hazisllari, të cilët ndodhen në kushte të vështira ekonomike.
"Një situatë e vështirë jo vetëm për ne si institucion por për të gjithë qytetarët e Maliqit, të cilët shprehin ngushëllimet për familjen. Shpresojmë që vajza të bëhet mirë, i urojmë shërim të shpejtë dhe patjetër që bashkia do të jetë në mbështetje të familjes me të gjitha mundësitë që ne kemi, për ta mbështetur financiarisht por jo vetëm. Do të jemi ccdo ditë krah kësaj familje. Qyteti sot është në zi të plotë. E ngushëlloj familjen, i jap forcë në emër të pushtetit vendor dhe le të shpresojmë që vajza të bëhet mirë.
Të gjitha shpenzimet që kanë të bëjnë me ceremoninë por jo vetëm, do të mbulohen nga bashkia. Unë do të marr disa nisma timet personale me bizneset sepse aty do të jetë ndërhyrja më e shpejtë, për të mos pritur proccedurat ligjore që ndonjëherë zgjatin shumë. Rasti është i veccantë dhe ne duhet të ndërhyjmë sa të kemi mundësi. Nga informacioni që kam, familja ka qenë pjesë e shërbimit social dhe e qendrës komunitare që ne kemi aty. Nuk besoj që ne nuk mund të kemi patur ndihmat e nevojshme, rasti është fatkeq. Ne kemi raste të shumta të tilla që i trajtojmë, i mbështesim dhe kështu do të vazhdojmë. Këto raste nuk janë vetëm detyrim ligjor por duhet të jenë këmbanë alarmi për të gjitha institucionet. Ky do të jetë rast që do na japë forcë më shumë për të marrë masa më të rrepta e më të gjera për ti mbështetur", tha kryebashkiaku i Maliqit.
Lajmi kryesor:
Maliq/ Ndërruan jetë pas zjarrit që i përpiu shtëpinë, përcillen sot për në banesën e fundit nëna dhe i biri! 6-vjeçarja ende në gjendje kritike! Flet dëshmitarja e parë e ngjarjes









