Maliqi: Koalicioni Rama-Meta ka
shansin të bëjë kthesën e re

Maliqi: Koalicioni Rama-Meta ka<br />shansin të bëjë kthesën e re
PRISHTINË - Koalicioni i ri Rama – Meta ka gjasa që të bëjë kthesën e re në Shqipëri, duke ia hapur rrugën Shqipërisë për integrime evropiane dhe krijimin e kushteve për tejkalimin e politikave të konfliktulitetit të brendshëm. Kokëfortësia dhe arroganca në politikë zakonisht paguhen shtrenjtë. Në zgjedhjet e vitit 2005, një leksion për arrogancën e tij e pat marrë Fatos Nano, pasi e pat nënçmuar shkëputjen e Ilir Metës dhe grupit që formoi partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ia shkëputi PS-së një pjesë të elektoratit të majtë.

LSI u bë shkak kryesor pse e majta humbi pushtetin. Pas dështimit në vitin 2015, Nano u detyrua që të japë dorëheqje nga kreu i PS-së, dhe nuk arriti që të kthehet në politikë aktive, edhe pse bëri disa përpjekje.

Me pasojat e kokëfortësisë dhe arrogancës do të ballafaqohet edhe zëvendësuesi i Nanos në PS, Edi Rama. Paradoksalisht, Rama ka qenë politikani i cili gjatë fushatës parazgjedhore të vitit 2005 ishte distancuar nga miopia e Nanos në qasjen ndaj LSI-së dhe Metës, duke parashikuar se kjo do të ketë si pasojë humbjen e zgjedhjeve. Për të dëshmuar se e majta pa unitet nuk mund të ketë sukses, në zgjedhjet lokale të vitit 2007 Rama bëri koalicion me Metën dhe partitë tjera të së majtës për t’i fituar ato bindshëm.

Por, pas suksesit të vitit 2007, kur Rama siguroi edhe mandatin e tretë si kryebashkiak i Tiranës, Rama do të bëjë gabimin e Nanos duke ushqyer bindjen se mund të bëhet lider i vetëm i së majtës edhe pa LSI-në. Ai besoji se ligji i ri zgjedhor që e akordoi me Sali Berishën, do të favorizojë PS-në, si partinë individualisht më të madhe në Shqipëri, si dhe lidershipin e tij, karshi rivalitetit që u shfaq në raport me Ilir Metën, i cili ishte kundër ligjit të ri zgjedhor.

Në vitin 2009 strategjia e defaktorizimit të LSI-së dhe të Ilir Metës dështoi. Në vend që e gjithë e majta të futet nën ombrellën e PS-së dhe Ramës si lider i saj, LSI-ja arriti që të kalojë pragun zgjedhor dhe në zgjedhjet nacionale fitoi 4 mandate që do të bëhen decizive për mbetjen e PD-së dhe Sali Berishës në pushtet. Koalicioni i PD-së pat fituar rrafsh gjysmën e mandateve, 70 deputetë, kurse PS-ja 66, dhe 4 mandatet e LSI-së edhe nëse do të përcaktoheshin për t’u bashkuar me të majtën, nuk do të kishin efektin dhe Meta vendosi që të bëjë koalicion me Berishën.

Pas dështimit të vitit 2009 Rama ka insistuar shumë kohë në parregullsinë dhe vjedhjen e votës duke organizuar protesta dhe greva, por nuk arriti që të rihapën dhe rinumërohen votat kontestuese. Në këtë periudhë animoziteti mes Ramës dhe Metës thellohet dhe duket i pakapërcyeshëm, sikurse edhe ribashkimi i votës të së majtës konsiderohej si mision i pamundur. Në këtë atmosferë të mosunitetit do të mbahen edhe zgjedhjet lokale të vitit 2011, ku Rama vendosi që të garojë për postin e kryebashkiakut të Tiranës edhe për të katërtën herë. Kësaj here Rama mori edhe një leksion ndëshkues për kokëfortësi dhe arrogancë, sepse serish nënçmoi faktorin LSI, që në një garë tejet të baraspeshuar si “fotofinish” ku vendimtare u bënë një grusht votash, fitues doli Lulëzim Basha i PD-së.

Ndonëse edhe këtë humbje Rama e priti me hidhërimin e “vjedhjes së përsëritur”, pasi Basha e siguroi fitoren pas rivlerësimit të disa dhjetëra votave kontestuese në forumin e KQZ-së ku PD-ja kishte mazhorancën, ai pas disa muajsh do të bëjë një reflektim serioz të gabimeve vetanake që edhe i kanë mundësuar ‘skemat e vjedhjeve’. Në rastin e Tiranës ka qenë evidente se përparësia e madhe që e ka pasur Rama në tri garat e para është shkrirë pasi që i kanë ikur votat e LSI-së.

Pas kongresit të PS-së në nëntor të vitit 2011 Edi Rama ka bërë kthesën strategjike duke e ndërprerë politikën e protestave dhe konflikteve, i kthen deputetët e PS-së në Kuvend, dhe rifillon dialogun dhe afrimin me të gjitha forcat politike të majta, duke përfshirë këtu edhe gjetjen e formulës së pajtimit me Ilir Metën.

Në vigjilie të zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në qershor, LSI-ja ka vendosur që të dalë nga koalicioni me PD-në dhe këto ditë pritet shpallja e koalicionit të madh të majtë, PS-LSI, që do të përfshijë edhe shumë parti dhe grupe tjera të së majtës. Një koncentrim i tillë i forcave të majta nuk ka ndodhur prej kohësh. Dhe kjo manovër që nuk vjen në momentin e fundit, por në kohën duhur dhe që sinjalizon se është përgatitur gjatë dhe i ka edhe bazamentet e orientimeve programore, paralajmëron se e majta në qershor do të konkurrojë fuqishëm për të rimarrë pushtetin pas 8 vitesh.

Ky koncentrim i partive të majta, krahas çarjeve që kanë ndodhur në bllokun e partive të djathta, ku disa subjekte të reja si Aleanca Kuq e Zi dhe Fryme e Re Demokratike, kanë gjasa që të rrëmihin një pjesë të votës së djathtë përafërsisht në ato përqindje sa i shkëpuste LSI-ja bllokut të majtë kur garonte jashtë këtij blloku, pothuajse garanton rrëzimin e Sali Berishës nga pushteti.

Kuptohet, për një pjesë të opinionit pajtimi i Ramës me Metën pas rivalitetit të gjatë duket nëse jo i pamundur atëherë i dyshimtë. Por, në politikë nuk janë të rralla këto kthesa për 180 gradë! Tandemi Rama – Meta, në fillim të viteve 2000 ka funksionuar shumë mirë, kur Meta ishte Kryeministër i Shqipërisë dhe Rama Kryebashkiak ambicioz që arriti ta bëjë mrekullinë e parë të madhe në Shqipëri duke e ringjallur kryeqytetin nga ngulfatja që e kishte kapluar gjatë anarkisë së periudhës pasdiktatoriale.

Koalicioni i ri Rama – Meta ka gjasa që të bëjë kthesën e re në Shqipëri, duke ia hapur rrugën Shqipërisë për integrime evropiane dhe krijimin e kushteve për tejkalimin e politikave të konfliktulitetit të brendshëm, sepse me largimin e Sali Berishës duhet pritur edhe konsolidimin e të djathtës shqiptare.

Marrë nga Express
2 prill 2013

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë