Një ngjarje e rëndë ka tronditur Malishevën, ku një 24-vjeçare ka humbur jetën pasi u qëllua me plumb në kokë nga bashkëshorti i saj, 26 vjeçari Egzon Bytyqi, i cili më pas qëlloi veten.
Zyrtarë të Prokurorisë së Gjakovës thanë për Report TV se gjithçka nisi mbrëmjen e së dielës rreth orës 23:00, kur policia u njoftua për një plagosje me armë zjarri në fshatin Kërvasari. Në momentin që patrullat dhe ekipet e emergjencës hynë në banesë, gjetën çiftin të plagosur në dhomën e gjumit. Të dy u dërguan me urgjencë në QKUK, por 24-vjeçarja Jetlira Foniqi nuk arriti t'u mbijetonte plagëve dhe u shpall e vdekur pak pas mesnate. Ajo ishte 8 muajshe shtatzënë. 26-vjeçari vazhdon të jetë në gjendje kritike në spital, ndërsa hetuesit kanë sekuestruar armën e zjarrit të gjetur në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Sipas mediave në Kosovë, arma dyshohet se i përket babait të të riut dhe ishte e pajisur me leje. Po sipas të njëjtave burime, familjarët kanë deklaruar se 26-vjeçari kishte jetuar dhe punuar në Gjermani për rreth katër vite dhe kishte një muaj që ishte kthyer në Kosovë. Familjarët kanë deklaruar para autoriteteve se gjatë periudhës së fundit ai kishte pasur probleme të shëndetit mendor në Gjermani.
Dyshimet fillestare flasin për motive xhelozie, ndërsa rrethanat e sakta të ngjarjes pritet të përcaktohen nga hetimet e organeve kompetente.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento