28 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa vetëm 5 prej tyre janë ende aktive në të gjithë territorin. Situata më e vështirë paraqitet në Mallakastër, ku prej 3 ditësh ende po luftohet me flakët me ndërhyrje edhe nga ajri. Zjarrfikësit dhe 2 helikopterë po punojnë për shuarjen e flakëve në 4 fshatra, Panahor, Ngracan, Riban dhe Drenie. Në Mallakastër janë evakuuar përkohësisht katër familje për arsye sigurie, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Puna vijon në zonën e Dajtit dhe në qarkun Elbasan, ku situata paraqitet nën kontroll ose drejt izolimit.

Nga zjarret janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier. Për ditën e sotme parashikohet nivel i lartë rreziku për zjarre në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër.

Në operacionet për izolimin dhe shuarjen e zjarreve janë angazhuar 631 forca operacionale, 64 automjete zjarrfikëse, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore. Avioni i përket kompanisë me të cilën qeveria ka lidhur kontratë për blerjen e 3 avionëve të këtij tipi, të cilët do të vijne në fund të vitit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:44
Mbrojtja Civile bën bilancin: 5 vatra zjarri aktive në vend, në Mallakastër janë evakuuar 4 familje

1785952752_Screenshot1.jpg

Mbrojtja Civile bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive. Sipas Mbrojtjes Civile, puna vijon në zonën e Dajtit, në Mallakastër dhe në qarkun Elbasan, ku situata paraqitet nën kontroll ose drejt izolimit. Ndërkohë në Mallakastër, raportohet se janë evakuar përkohësisht katër familje për arsye sigurie.

Ndërkohë, vatrat në Kostren (Berat), Pocest (Dibër) dhe në zonën Stegopull–Selckë e Levenishtë (Gjirokastër) janë shuar dhe mbahen në monitorim. Nga zjarret raportohet se janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier.

Njoftimi i Agjencia Kombëtare të Mbrojtjes Civile:

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive. 

Përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura - në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 64 automjete zjarrfikëse, 631 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore. 

Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e forcave të MZSH-së dhe ADZM-së si dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Në mbështetje të operacionit po vepron avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara. 

Në fshatrat Riban dhe Ngraçan, bashkia Mallakastër, situata po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së koordinuar të forcave operacionale nga toka dhe ajri. Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, strukturat policore dhe vendore, vullnetarë, efektivë të Forcave të Armatosura, helikopterë dhe avioni “Air Tractor”. Katër familje janë evakuuar përkohësisht për arsye sigurie. 

Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Zjarri në Shqiponjë është nën kontroll, vatra në malin e Dardhës është izoluar, ndërsa në Mjekës vijon puna për shuarjen përfundimtare. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. 

Në Kostren, bashkia Berat, po kryhet krehja dhe monitorimi i zonës. Në Pocest, bashkia Dibër, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së forcave operacionale, ndërsa vatrat në zonën Stegopull–Selckë dhe në Levenishtë, qarku Gjirokastër, janë shuar dhe po mbahen në monitorim. 

Si pasojë e zjarreve janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier, ndërsa sipërfaqja e prekur nga vatrat aktive mbetet në vlerësim.

AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin.