25 vatra zjarri janë raportuar gjatë së mërkurës, prej të cilave 8 vijojnë të mbeten aktive. Situata më problematike paraqitet në fshatrat Riban dhe Ngraçan në bashkinë e Mallakastrës. Gjatë orëve të pasdites flakët kanë përparuar me shpejtësi në masivet pyjore duke djegur pisha. Ndonëse në terren janë angazhuar zjarrfikëse nga disa bashki, kryebashkiaku i Mallakastrës deklaron se ka qenë e pamundur nga forcat zjarrfikëse që vatrat të izolohen.
“Për shkak të erës sidomos në darkë kemi një përhapje në masivin pyjor të Ngraçanit dhe pak në pjesën e Lofkëndit. Aktualisht do të punohet me monitorim dhe mbajtjen nën vëzhgim për të mos pasur problematika të theksuara. Nesër në mëngjes do të rinisim me ndërhyrjen nga ajri”, thotë Qerim Ismailaj.
Për të parandaluar përhapjen në zonat e banuara deputeti i Mallakastrës Klevis Jahaj thotë se forcat zjarrfikëse dhe policia do të jenë gjatë gjithë natës për monitorim në terren. Një thirrje e ka edhe për banorët e zonës.
“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë vigjilentë qoftë për pronën dhe jetën e tyre dhe të dëgjojnë autoritetet për udhëzimet nëse do të ketë nevojë për evakuime”, tha Jahaj.
Në Riban për herë të parë pjesë e operacionit nga ajri u bë edhe avioni zjarrfikës "Air Tractor AT-833". Avioni i përket kompanisë me të cilën qeveria ka lidhur kontratë për blerjen e 3 avionëve të këtij tipi, të cilët do të vijne në fund të vitit. Aktualisht operacionet po kryhen nga pilotët e kompanisë, të cilëve më pas do t'u bashkohen pilotët shqiptarë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama e cilësoi aktivizimin e avionit si një forcë shtesë në përballjen me zjarret e kësaj vere.
Sipas raportimit ditor të Ministrisë së Mbrojtjes, vatra aktive zjarri ka edhe në qarkun e Elbasanit në fshatin Mjekës dhe në Shqiponjë të malit të Dardhës, në zonën malore ndërmjet Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull, por pa rrezik për zonat e banuara.
Në orët e mbrëmjes një vatër zjarri përfshiu edhe parcelat kodrinore Zebel në Pocest të Maqellarës në Dibër ku flakët iu afruan banesave, por falë ndërhyrjes në kohë të zjarrfikësve u bë e mundur shmangia e rrezikut.
Gjatë ditës është arritur të shuhet plotësisht zjarri në Penkovë të bashkisë Selenicë, që preku 2 hektarë pyll me pisha dhe 40 automjete të braktisura.
Në operacionet për shuarjen e zjarrëve gjatë ditës janë angazhuar helikopterët e Forcës Ajrore dhe droni Bayraktar, i cili përdoret për zbulimin dhe monitorimin e vatrave të zjarrit.

Zjarr masiv në kurorën e gjelbër në shpatin e Malit të Gjerë. Zjarri është regjistruar pak minuta më parë dhe ka vënë në alarm forcat zjarrfikëse të Gjirokastrës të cilat po shkojnë në vendngjarje pasi bëhet fjalë për një terren të thepisur.
Zjarri ka rënë mbi Levenisht çka konsiderohet si një prej zonave më piktoreske dhe po vazhdon me intensitet të lartë duke djegur shkurre, kullota e drurë.
Një zjarr ka rënë në parcelat kodrinore të fshatit Pocest në Dibër. Flakët u janë afruar banesave, por falë ndërhyrjes së zjarrfikësve, është bërë e mundur shmangia prej tyre.
Kryetari i bashkisë Mallakastër Qerim Ismailaj bëri një përditësim rreth situatës së zjarrit në zonë ku theksoi se vihet re zgjerim i vatrës. Ndërhyrja ka qenë sfiduese për shkak të disa faktorëve si terreni, era, temperaturat dhe bimësia. Momentalisht, do të vijojë monitorimi i situatës dhe ndërhyrja nga ajri rinis të enjten herët në mëngjes.
“Ka qenë e pamundur për shkak të terrenit të vështirë kodrinor që është i vështirë për të ndërhyrë me mjete tokësore, era e fortë, temperaturat e larta dhe bimësia që favorizon përhapjen e flakëve, janë pisha. Sot kanë operuar rreth 110 forca në terren, por pavarësisht kësaj kemi përhapje në Ngraçan. Forcat në terren do të kalojnë në monitorim për momentin nëse ka problematika të theksuara dhe nesër në 05:30 do të fillojmë ndërhyrjen nga ajri”, tha Ismailaj.
Deputeti i Mallakastrës, Klevis Jahaj, u bëri thirrje banorëve për vigjilencë e kujdes në këtë situatë të vështirë.
“U bëj thirrje qytetarëve të kenë kujdes, të jenë vigjilentë për pronën dhe jetën e tyre, të dëgjojnë autoritetet sipas udhëzimeve që u jepen në kushtet kur do të ketë nevojë për evakuime të mundshme”, tha Jahaj.
Zjarri në Mallakastër ka dalë jashtë kontrollit duke djegur masivë me pisha. Era e fortë favorizon flakët që kanë kaluar rrugën e Panahorit.
Edhe pse forca zjarrfikëse, banorë, forca të ushtrisë po luftojnë të shuajnë flakët, ende nuk po ia dalin dot mbanë.
Pamjet që vijnë nga Mallakastra tregojnë betejën e zjarrfikësve me flakët, ndërsa zjarri vijon të mbetet jashtë kontrollit në disa zona. Mes tymit të dendur dhe temperaturave të larta, ekipet në terren po punojnë pa ndërprerje për të izoluar vatrat dhe për të penguar përhapjen e zjarrit drejt zonave të banuara.
Operacioni po zhvillohet në një terren të vështirë, ku era dhe bimësia e dendur po favorizojnë avancimin e flakëve. Në ndihmë të forcave në tokë janë angazhuar edhe mjetet ajrore, ndërsa beteja për shuarjen e zjarrit vijon prej dy ditësh.

Janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive. Në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 52 automjete zjarrfikëse, 394 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e forcave të MZSH-së, ADZM-së, 50 efektivëve të FA-së dhe 1 helikopteri të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatrat në Priskë dhe Shën Mëri janë shuar plotësisht.
Situata më problematike paraqitet në fshatrat Riban dhe Ngraçan, bashkia Mallakastër, ku zjarri ka marrë përmasa dhe vijon të rrezikojë zonat e banuara. Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, 35 forca bashkiake, 40 efektivë të FA-së, 1 helikopter dhe avioni “Air Tractor”. Për arsye sigurie janë evakuuar 4 familje në fshatin Riban.
Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Vatrat janë nën kontroll ose të izoluara dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Në zonën malore ndërmjet Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull, zjarri ka rritur intensitetin në territorin e zonës së mbrojtur, por nuk ka rrezik për banesat.
Në Penkovë, bashkia Selenicë, zjarri është shuar plotësisht, pasi preku rreth 2 hektarë pyll me pisha dhe 40 automjete të braktisura. Në Pocest, bashkia Dibër, vatra është izoluar dhe po mbahet në monitorim, ndërsa në Vërzhezhë, bashkia Skrapar, situata paraqitet nën kontroll.
Si pasojë e zjarreve janë prekur rreth 18 hektarë me barishte, shkurre dhe bimësi pyjore, ndërsa sipërfaqja e prekur nga vatrat aktive mbetet në vlerësim.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin.
Një zjarr ka rënë ditën e sotme shumë pranë nënstacionit elektrik 220 kV Elbasan–Mjekës–Cerrujë–Gramsh. Si pasojë janë djegur vetëm shkurre dhe sipërfaqe me ullinj. Fatmirësisht, flakët janë shuar pa mbërritur te nënstacioni apo përhapur në zonat përreth.
Rreth mesditës së kësaj të mërkure, një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu fshatin Penkovë, në Bashkinë e Selenicës. Flakët u përhapën me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, duke krijuar një situatë të vështirë për forcat zjarrfikëse.
Në momentet e para ka qenë pothuajse e pamundur vënia nën kontroll e zjarrit, pasi Bashkia e Selenicës disponon vetëm një automjet zjarrfikës. Për shkak të përmasave të flakëve, në ndihmë mbërritën edhe ekipet zjarrfikëse nga Vlora dhe Himara, të cilat punuan për disa orë për të lokalizuar vatrën.
Si pasojë e zjarrit janë djegur disa automjete të një subjekti privat, të cilat shërbenin për pjesë këmbimi. Sipas pronarit të biznesit Tomian Hysaj, dëmi ekonomik i shkaktuar nga flakët llogaritet në rreth 35 milionë lekë të vjetra. Ai kërkon mbështetje nga Bashkia e Selenicës dhe institucionet shtetërore për të përballuar humbjet.
“Me këtë punë merresha, me këtë ushqeja fëmijët. Tani u shkatërrova komplet. Një makinë është më shumë se 300 mijë lekë, janë më shumë se 30 mijë euro dëm. Për gjysmë ore përfundoi gjithçka. Dua një ndihmë të vogël nga bashkia të më njohin dëmin se jemi mes katër rrugëve” tha Hysaj
Shefi i Emergjencave Civile pranë Bashkisë së Selenicës Arqile Kokalli bëri me dije se ndërhyrja e përbashkët e zjarrfikësve nga Selenica, Vlora dhe Himara bëri të mundur lokalizimin e flakëve, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit në zona të tjera. Megjithatë, puna në terren vijoi deri në shuarjen e plotë të vatrave aktive dhe mbajtjen e situatës nën kontroll.
“Situata është nën kontroll. Na erdhë në ndihmë nga Bashkia Himarë dhe Vlorë. Dy banesa që kishim poshtë kanë shpëtuar pa u dëmtuar. Tani po digjen shkurre anës lume” tha Kokalli
Fatmirësisht nga zjarri nuk pati persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale. Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet të zbardhen nga hetimet e institucioneve përgjegjëse.
Dy vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në qarkun e Elbasanit, ndërsa zjarrfikësit dhe strukturat e angazhuara po punojnë për të vënë nën kontroll flakët.
Në malin e Dardhës, në Librazhd, zjarri vazhdon të jetë aktiv. Zjarrfikësit, së bashku me persona të tjerë të angazhuar në terren, po përpiqen të shuajnë flakët, por temperaturat e larta, era dhe terreni i vështirë po e bëjnë të vështirë neutralizimin e zjarrit.
Ndërkohë, në ditën e tretë vijon zjarri në fshatin Shqiponjë, të njësisë administrative Stravaj, në bashkinë Përrenjas. Zjarrfikësit e Përrenjasit, së bashku me të gjitha strukturat e angazhuara, po punojnë për shuarjen e flakëve, por terreni i vështirë po e vështirëson ndërhyrjen.
Një vatër zjarri është aktivizuar mesditën e sotme në zonën e fshatit Penkove, në Bashkinë Selenicë. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë shpërthyer fillimisht në një pyll me pisha, ndërsa të favorizuara nga era janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë pjesërisht edhe një varrezë automjetesh pranë zonës.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, drejt vendngjarjes janë nisur forcat e shërbimit zjarrfikës për të vënë flakët nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e tyre në sipërfaqe të tjera. Deri tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa pritet një vlerësim i dëmeve dhe përcaktimi i shkakut të rënies së zjarrit.
Avioni "Air Tractor AT- 833", i cili po ndihmon për fikjen e zjarreve në Mallakastër i përket kompanisë me të cilën qeveria shqiptare ka lidhur kontratë për blerjen e 3 avionëve të ngjashëm, të cilët do t'i bashkohen Forcës Ajrore shqiptare në fund të vitit.
Avioni i parë i ardhur të martën, do të pasohet edhe nga një avion i dytë në ditët në vijim dhe synon të stërvise pilotët shqiptarë për përdorimin e tyre.
Aktualisht, burime bëjnë me dije avioni i parë po përdoret nga pilotët e kompanisë, dhe në vijim do t'i bashkohen edhe pilotët shqiptarë.
Sakaq, në operacion po marrin pjesë edhe helikopterë të Forcës Ajrore dhe droni Bayraktar qe përdoret për zbulimin dhe monitorimin e vatrave të zjarrit.
Lufta me flaket vijon prej dy ditesh në fshatin Riban të Mallakastrës. Gjate nates flaket jane përhapur drejt masivit pyjor të Lofkëndit dhe fshatit Ngraçan.
Për shkak të terrenit të thepisur, bimësisë së dendur dhe erës, ndërhyrja në tokë mbetet shumë e vështirë.
Banorët që u evakuuan një ditë më parë janë rikthyer në banesat e tyre, ndërsa sipas të dhënave paraprake flakët kanë djegur rreth 15 hektarë sipërfaqe pyjore.
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin e tij në Shqipëri, duke iu shtuar forcave zjarrfikëse.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, duke iu referuar avionit që po punon për shuarjen e flakëve në fshatin Riban të Mallakastrës, Rama shkruan se kjo verë e nxehtë e ka gjetur shtetin shqiptar më të përgatitur se kurrë për të ‘luftuar’ me flakët.
Reagimi i Ramës:
Avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin si forcë e shtuar e këtij gushti sfidues, i cili na gjen më të fortë e të përgatitur se asnjëherë më parë por edhe plotësisht të vetëdijshëm, për largqoftë rrezikun e përshkallëzimeve ekstreme të zjarreve përtej fuqive tona, siç po ndodh në disa vende të mëdha të Europës aktualisht
RESPEKT dhe MIRËNJOHJE për të gjitha forcat tona në terren
Arrestohet autori i dyshuar i zjarrvënies në fshatin Lekaj të Rrogozhinës ku u dogjën rreth 250 pemë ulliri dhe frutore.
Policia bën me dije se në oborrin e banesës së të arrestuarit u konstatuan vatra zjarri që u përhapën dhe rrezikuan edhe banesat e zonës, por që fatmirësisht u arrit të shuhej pas ndërhyrjes nga forcat zjarrfikëse.
Njoftimi i Policisë:
Rrogozhinë-Policia identifikon dhe arreston në flagrancë autorin e dyshuar të zjarrvënies në fshatin Lekaj.
Si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën rreth 250 pemë ulliri dhe pemë të ndryshme frutore.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, dje, pas marrjes së njoftimit për zjarrin e rënë në një sipërfaqe toke me pemë në fshatin Lekaj, që rrezikonte edhe banesat e zonës, ndërhynë menjëherë në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, për fikjen e zjarrit.
Ndërkohë, grupi hetimor kreu të gjitha veprimet për zbardhjen e rastit. Nga këqyrja e zonës u konstatua se në oborrin e banesës së shtetasit N. U., kishte vatra zjarri, ndërsa në pjesën e pasme të kësaj banese, kishte një tjetër vatër zjarri që dyshohet se është përhapur duke shkaktuar djegien e një sipërfaqe toke me 250 pemë ulliri dhe pemë të ndryshme frutore.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasin N. U., banues në fshatin Lekaj, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qytetarët që të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për çdo qëllim tjetër, pasi përhapja e flakëve mund të shkaktojë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.
Policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar anonimat, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.







Komente
Komento