Shërbimi i mamografisë për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit për gratë po ofrohet për herë të parë në spitalin rajonal të Gjirokastrës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu pa nga afër investimet në spitalin e Gjirokastrës, i cili është pajisur me aparatura të reja biomjekësore të teknologjisë së lartë.
Me aparaturën moderne të mamografisë po ofrohet për herë të parë diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit për gratë, jo vetëm të Gjirokastrës por të gjithë zonës së jugut, të cilat më parë shkonin në Tiranës për ta marrë këtë shërbim.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu
Në spitalin e Gjirokastrës po investohet në aparatura të teknologjisë së lartë, duke filluar nga eko, inkubatorë, defeibilatorë, etj me vlerë rreth 200 mijë euro.
Synimi ynë është të ofrojmë shërbimin me cilësi afër vendbanimit, ndaj ne po investojmë në spitalet rajonale 4.5 milion euro në aparatura moderne të teknologjisë së lartë nga veriu në jug të vendit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu
Në spitalin e Gjirokastrës po vijon programi i patronazhit, ku mjekë të spitaleve universitare të Tiranës po kryjnë vizita mjekësore, egzaminime dhe ndërhyrje kirurgjikale që nuk kryheshin më parë në Gjirokastër.
Katër ndërhyrje të komplikuara u kryen sot nga stafi i mjekëve të spitalit “Mbretëresha Geraldinë në maternitetin e Gjirokastrës.
Programi i patronazhit ka sjellë që nga Janari më shumë shërbime me cilësi afër vendbanimit për qytetarët. 5700 qytetarë kanë marrë shërbime në spitalet afër vendbanimit, për të cilat më parë detyroheshin të udhëtonin drejt Tiranës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po aplikon gjithashtu programin e bonusit, ku mjekë të specializuar po punësohen përkundrejt bonusit që ka vënë në dispozicion qeveria, deri në 2.5 milion lekë mbi pagën, në spitalet ku ka mungesa të specialistëve.
Me këtë program, një mjek anestezist i është bashkuar ekipit mjekësor të spitalit rajonal të Gjirokastrës, një specialitet për të cilin ky spital kishte nevojë.