Manastiri i KryeengjëjveDerviçan, një prej kishave dhe manastireve të shumta të luginës së Drinos është shpallur ‘Monument Kulture’ Kategoria I. Lajmin e bëri të ditur Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale.

Gonxhja shprehet se ky Manastir është është një nga ansamblet më të rëndësishme shpirtërore dhe arkitekturore të zonës, me vlera të spikatura historike dhe identitare. Ndër të tjera Gonxhja thotë se në Manastir do të kryehet edhe një ndërhyrje për konakët, të cilët aktualisht janë në gjendje të degraduar.

I pozicionuar në pllajën e Malit të Gjerë, mbi fshatin Derviçan, manastiri është një ndërtim më i ri në krahasim me komplekset e tjera të kësaj lugine, por ka vlera të shumta dhe dëshmon për zhvillimin dhe larminë tipologjike të ndërtimeve të arkitekturës pasbizantine.

Kompleksi i Manastirit të Kryeengjëjve përbëhet nga kisha dhe konakët, që e rrethojnë atë, kryesisht nga ana lindore dhe perëndimore.

Si në të gjitha kishat e Dropullit, edhe këtu është përdorur e njëjta teknikë ndërtimi, muraturë me gurë shtresore, të vendosur në radhë të rregullta e të lidhur me llaç gëlqereje. Mbulesa e çatisë është me rrasa guri. Si kohë ndërtimi mendohet që manastiri t’i përkasë shekullit të 18-të.

Postimi i plotë i Gonxhes:

Manastiri i Kryeengjëjve në Derviçan, bashkia Dropull, është një nga ansamblet më të rëndësishme shpirtërore dhe arkitekturore të zonës, me vlera të spikatura historike dhe identitare. Kompleksi, i përbërë nga kisha dhe konakët, dëshmon traditën e ndërtimit në gur dhe organizimin e jetës monastike ndër shekuj. Në bashkëpunim me DRTK Gjirokastër është realizuar shpallja e kishës si pasuri kulturore “Monument Kulture” i kategorisë së parë, si dhe përcaktimi i zonës së mbrojtur për konakët, duke garantuar mbrojtjen ligjore të të gjithë ansamblit. 

Ndërhyrja e propozuar përbën ndërhyrjen e parë të plotë për ringritjen e konakëve, të cilët aktualisht janë në gjendje të degraduar. Ajo përfshin pastrimin, konsolidimin e muraturës dhe rindërtimin e elementeve tradicionale si çatitë, dyshemetë dhe strukturat prej druri. Miratimi i projektit hap rrugën për nisjen e punimeve të zbatimit, të cilat synojnë rikthimin e funksionit dhe jetueshmërisë së manastirit, duke e kthyer atë në një hapësirë të gjallë për komunitetin dhe trashëgiminë kulturore, si dhe duke pasuruar iteneraret turistike të vendit.

Sëbashku me kryebashkiakun e Dropullit Dhimitraq Toli dhe organizatat partnere po punojmë për shpëtimin, rijetëzimin dhe promovimin e objekteve e qendrave historike si dhe restaurimin e evokimin e vlerave kulturore përmes statuseve mbrojtëse që mobilizojnë financime projektesh e rimëkëmbje ekonomike lokale të qendrueshme.