Juventus dhe Manchester City përballen të mërkurën në orën 21:00 në raundin e gjashtë të Champions League. Të dyja skuadrat po kalojnë një situatë jo të mirë sa i takon rezultateve, teksa anglezët janë në emergjencë totale pasi kanë vetëm 12 lojtarë për të përballuar "Zonjën e Vjetër".
Pep Guardiola e sheh veten në një situatë të ngjashme ashtu si ndaj Crystal Palace, ku kishte vetëm dy zëvendësime në dispozicion, Grealish dhe Jeremy Doku. Kjo emergjencë totale e gjen Guardiola në momentin e tij më të vështirë në krye të Cityt, me vetëm 1 fitore në 9 ndeshjet e fundit.
Sipas Pep Guardiolës, Man.City duhet të bëjë në këtë takim pa shërbimet e Foden, Kovacic, Ake, Akanji, Stons dhe sigurisht pa Rodri. Shpresa e vetme e teknikut spanjoll është të paktën të rikuperojë Foden dhe Akanji, por dhe në rastin më të mirë do të jetë në pankinë.
Nga ana tjetër Juventusi kërkon tri pikët dhe këtë e ka bërë me dije Thiago Motta në një dalje për mediat. Trajneri bardhezi shpreh admirimin për rivalët, por ekipi i tij do kërkojë maksimumin në shtëpi.
"Nesër do të përballemi me një skuadër me karakteristika të caktuara. Duhet të jemi të gatshëm të mbrohemi mirë kur ata sulmojnë dhe të luajmë me cilësi të lartë kur të kemi topin.
Ndeshjet e fundit të Cityt? Nuk mund ta gjykoj atë që po ndodh tani, mund të admiroj vetëm atë që kanë bërë vitet e fundit. Ata kanë treguar vlerë të madhe, kanë fituar Champions League, Kupën e Botës për Klube, Premier League katër herë radhazi.
Si do ta përballoni Manchester City? Është e rëndësishme të jemi të vëmendshëm për atë që mund të kontrollojmë. Do të përballemi me një skuadër që i pëlqen të sulmojë, por mund t’ia vështirësojmë gjërat kur kemi topin. Duhet të kemi përqendrim maksimal në atë që duhet të bëjmë nesër.
Lojtarët e dëmtuar - Luan gjithmonë ai që e meriton, por është e qartë që nëse dikush është jashtë për një kohë të gjatë, ka nevojë për një periudhë kohe për t’u rikthyer në ritëm. Gjithsesi, gjithçka varet nga gjendja e lojtarit. Unë e marr parasysh gjithçka për të zgjedhur formacionin më të mirë të mundshëm, edhe nesër do të jetë po kështu.
Për Guardiolën - Është jashtëzakonisht i fortë, veprat flasin për të. Ai ka fituar gjithçka dhe e ka bërë këtë me vazhdimësi, diçka që është shumë e vështirë", tha Motta.