Në “Old Traford” ëndrra e Romës kthehet në një makth. Verdhekuqtë fundosen në Angli duke e humbur thellë gjysmëfinalen e parë të Europa League. Manchester United luajti tenis me Romën duke e mposhtur 6-2 dhe hipotekon finalen e madhe të kompeticionit. Bruno Fernandes kaloi United në avantazh por Roma e përmbysi rezultatin me Pellegrinin dhe Dzeko dhe humbi tre lojtarë për arsye dëmtimi që në pjesën e parë. Në 45 minutat e dyta futbollistët e Manchesterit ishin një uragan i vërtetë dhe shënuan 5 gola duke e fituar pastër ndeshjen. Me dygolësha e mbyllën ndeshjen Fernandes dhe Cavani ndërsa nga një e shtuan Pogba dhe Greenwood.
Ndërsa Villarreal e fitoi duelin e parë ndaj Arsenalit 2-1 në Spanjë. Trigueros dhe Albiol shëuan golat për ekipin spanjoll ndërsa topçinjtë mbeten në garë falë golit të shënuar nga Pepe me penallti. Kualifikimi është i hapur.
Barcelona bëri “vetëvrajse” në La Liga dhe e humbi mundësinë të marrë kryesimin. Granada i shokoi katalanasit brenda në “Camp Nou” kur fitoi 2-1 ndeshjen e prapambetur. Messi nuk mjaftoi pasi miqtë e përmbysën ndeshjen në 45 minutat e dyta me Machis e Molina. Pesë javë nga fundi titulli në Spanjë është një e panjohur e madhe. 4 ekipe i ndajnë vetëm tre pikë. Atletico, Real, Barça dhe Sevilla kanë shanse thuajse të barabarta për t’u shpallur kampionë/ Përgatiti Andi Kapxhiu