Mandatet,Balla:Precedentët nga
Basha te Meta,seancat pa media

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla kujton se të gjitha seancat e Këshillit të Mandateve në të kaluarën janë zhvilluar me dyer të mbyllura. Balla iu përgjigj akuzave të PD dhe LSI se Ruçi nxori jashtë mediat.

Balla iu referua rasteve kur iu është hequr imuniteti kryetarit të PD, Lulzim Basha, ish-ministrit Fatmir Mediu apo dhe ish-kryetarit të LSI, Ilir Meta. 
"Në 26 vjet të Kuvendit, në të gjitha rastet, kjo pjesë e mbledhjes së këtij këshilli, pra pjesa e fundit, ka qenë gjithmonë e mbyllur. Dhe rastet më tipike të këtyre mbledhjeve, për t'i kujtuar edhe publikut po shtoj, mbledhja për imunitetin e Bashës 2007, diskutimet të mbyllura, për Fatmir Mediun në 2008, me dyer të mbyllura, për Nikollaq Neranxin në vitin 2009, mbledhja e mbyllur, për Ilir Metën në 2011, me dyer të mbyllura", u shpreh Balla.   

Kreu i deputetëve socialistë tha gjithashtu se seanca e parë ku do shqyrtohet raporti i Këshillit është ditën e mërkurë. "Këshilli mund të ketë dy apo tre qëndrime për këtë çështje, kjo i takon anëtarëve të Këshillit. Ai paraqet raportin në seancë dhe seanca e parë që pason miratimin e raportit, ditën e mërkurë është seanca e parë. Nëse raporti do jetë gati, do kalojë në seancë. I kërkoj Bashës dhe Kryemadhit lerini anëtarët e Këshillit të bëjnë punën e tyre", tha Balla. 

Deklarata e plotë
Besoj se dëgjuat një gënjeshtër tjetër të madhe, keqinformim publik nga ana e deputetëve të opozitës para pak çastesh. E ndjeva si detyrim ndaj publikut që të ndaj me ju shpjegimin e arsyes se përse faza përfundimtare e mbledhjeve të Këshillit të Mandateve, pra ajo e përgatitjes së raportit përfundimtar që i shkon seancës, është e mbyllur.
Në 26 vjet të Kuvendit të Shqipërisë, në të gjitha rastet kjo pjesë e mbledhjes së këtij këshilli ka qenë gjithmonë e mbyllur.
Edhe në rastet më tipike.
Më lejoni, për kujtesën tuaj dhe të publikut, t’ju përmend një nga një të gjitha rastet:
Vendimi numër 152, datë 27.12.2007 për deputetin Lulzim Basha - diskutimet janë bërë të mbyllura.
Vendimi numër 16.6.2008 për deputetin Fatmir Mediu - me dyer të mbyllura.
Vendimi 23.4. 2009 për deputetin Nikollaq Neranxi - me dyer të mbyllura.
Vendimi 87, datë 24.2.2011 për deputetin Dritan Prifti - me dyer të mbyllura.
Vendimi numër 84, datë 16.02.2011 për deputetin Ilir Meta - me dyer të mbyllura.
Vendimet 4,5,6, me datë 2.2.2011 - me dyer të mbyllura, etj, etj.
Mua më vjen shumë keq, se sa keq po dalin deputetët e Partisë Demokratike në sytë e publikut me këtë përpjekje qesharake.
Jemi në fazën që deputetët e mandatuar nga grupet parlamentare në këshill duhet të bëjnë raportin përfundimtar. Dëshira jonë është që ne të kemi një raport përfundimtar me një qëndrim.
Nëse Këshilli nuk do të ketë një qëndrim, por do të ketë dy qëndrime, tre qëndrime,- mund të ketë LSI-ja të vetin, mund të ketë PD-ja të vetin,- kjo është një çështje që i takon anëtarëve të këshillit, dhe duhet ta dini që këshilli paraqet raportin në seancë. Siç e dini sipas rregullores, në seancën e parë që pason miratimin në raport. Ditën e mërkurë është seanca më e parë. Nëse raporti do të jetë gati të mërkurën, atëherë seanca do të mbahet të mërkurën. 
Por i kërkoj Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit: lërini anëtarët e këshillit të bëjnë detyrën e tyre, mjaft i nxorrët qesharakë. Del një deputet dhe deklaron votën, po çfarë vote deklaron mo, se nuk po të kuptoj.
Nuk po të kuptoj, votën e ke në seancë, atje do e shprehësh në bazë të një raporti apo dy raporteve, në një raport me dy qëndrime që do të sjellësh në seancë. Duhet të jetë e qartë për të gjithë, që këtu do të zhvillohet tërësisht një proces normal. Edhe ajo historia e para dy ditëve që me vrap, pse nuk po mblidhet mbledhja, filluan të qajnë te dera e Kuvendit, deputetët e opozitës dëshironin të shihnin provat. Shumë mirë. Ka një procedurë për provat, uluni shikojini, vlerësojini. Në fund të fundit ky është institucioni që ka ngarkuar Kuvendi të iluminojë deputetët e Kuvendit lidhur me kërkesën e ardhur nga Prokuroria.
Dua të them shumë qartë dhe shumë shkurt se: edhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste po pret që deputetët e vet në Këshillin e Mandateve të qartësohen mbi gjithçka ka paraqitur Prokuroria. Ju e dini që asnjëri prej deputetëve tanë nuk është aty si avokat, as i deputetit Tahiri apo kujtdo tjetër. Ata janë aty si përfaqësues të Kuvendit për të bërë filtrimin e materialit që ka sjellë Prokuroria. Ne do t'i krijojmë drejtësisë të gjitha kushtet që ky hetim të shkojë deri në fund.


/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Kush janë ministrat e qeverisë Kurti që u pasuruan më shumë

Kush janë ministrat e qeverisë Kurti që u pasuruan më shumë