Më 11 dhjetor, procesi për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, hyn në fazën e tij përfundimtare.

Katër kandidatët që kanë kaluar filtrat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të paraqiten para anëtarëve të KLP-së, ku do të prezantojnë platformat e tyre dhe më pas do t’i nënshtrohen intervistimit.

Kjo është etapa e fundit përpara marrjes së vendimit që do të përcaktojë pasuesin e Altin Dumanit në krye të SPAK-ut, një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë së re.

'Në datën 11.12.2025, ditën e Enjte, ora 09.00, Këshilli i LArtë i Prokurorisë, do të zhvillojë intervistat me kandidatët, sipas rendit  alfabetik, si dhe do të vijojë me zgjedhjen e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)', thuhet në njoftimin e KLP.

Pak ditë më parë, KLP miratoi listën me katër kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore dhe profesionale, Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodjan Braho.

Pas intervistave, Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të zhvillojë procesin e votimit, i cili do të vendosë se kush prej tyre do të marrë drejtimin e SPAK-ut për mandatin e ardhshëm.

Kush janë 4 kandidatët?

Adnan Xholi është një nga kandidatët me përvojë të gjatë, i emëruar për herë të parë në vitin 2004. Aktualisht, ai shërben si prokuror në SPAK dhe mban edhe detyrën e shefit të Seksionit të Krimit të Organizuar, një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të strukturuar.

Klodian Braho, i emëruar prokuror në vitin  2007, është po ashtu prokuror pranë SPAK që në krijimin e tij. Aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme.

Një nga prokurorët me përvojë në këtë garë është edhe Elvin Gokaj, i cili ka nisur karrierën e tij në dhjetor të vitit 2000. Ai ka qenë pjesë e SPAK prej kohësh dhe ka kontribuar në hetime të shumta me ndikim të lartë. 

Doloreza Musabelliu, e emëruar në tetor të vitit 2004, është prokurore në SPAK dhe ka një rol të rëndësishëm në strukturën e Prokurorisë së Posaçme. Ajo është një nga prokuroret që ka qenë pjesë e grupit të kanë hetuar dosjen e “Plumbi i Artë” ku tre bashkëpunëtor të drejtësisë kanë zbuluar me dhjetëra krime  ndër vite në Shqipëri, të cilët deri tani janë konsideruar si ngjarje pa autor.